Gropa dhe kundërmim, harrohet rruga e dëmtuar në lagjen "Kalabria"

Rruga “Ali Vitia” në lagjen “Kalabria” në Prishtinë  ka mbetur e dëmtuar që nga prilli i vitit të kaluar. Përveç kësaj, kolektori për ujëra të zeza në këtë pjesë po ashtu ka mbetur i pa përfunduar.

Banorët po ankohen se po kanë vështirësi gjatë qarkullimit në këtë pjesë të lagjes ku po krijohen kolona të gjata dhe po u dëmtohen veturat.

“Po na i dëmton kerret për shkak se ka gropa të shumta që bohen edhe prej kamionave me peshë të rëndë dhe po bllokohet komunikacioni”, tha Valmir Sahiti, banor në këtë lagje.

Rejhane Llapashtica, po ashtu  banore e lagjes Kalabria tha se po kanë probleme edhe me ujërat e zeza të cilat po ua bëjnë më të vështirë qarkullimin nga kundërmimi.

“Ka qene lum por i ndotur dhe sigurisht dikush po i derdh edhe ujërat e zeza. Kanë thënë qe kemi me mbulu por si duket ju ka dal problem me prona private dhe ka ngec puna edhe me nuk kanë qenë me u marre me ate pjese”, theksoi ajo.

N‪ë anën tjetër nga komuna e Prishtinës kanë thënë se punimet nuk janë zhvilluar për shkak të disa problemeve pronësore-juridike.‬

‪“Nuk ka mundur të realizohet për shkak të probleme pronësore-juridike, ku për këtë janë duke u bërë përpjekje që të zgjidhen këto probleme dhe sa më shpejtë të jetë e mundur të përfundohet së pari mbulimi i kolektorit e pastaj edhe rruga”, thuhet në përgjigjen e zyrtarit Halil Fejziu.