Komuna e Obiliqit ndan 15 mijë euro për Shqipërinë

Kuvendi Komunal i Obiliqit ka nisur sot seancën e jashtëzakonshme me një minutë heshtje për viktimat që humben jetën nga situata e krijuar pas tërmetit në Republikën e Shqipërisë.

Sipas një njoftimi për media, në këtë seancë Komuna e Obiliqit, respektivisht, Kryetari i Komunës së Obiliqit Xhafer Gashi, ka marrë vendim që t’i dërgohet Kuvendit Komunal, propozim-vendimi për ndarjen e mjeteve buxhetore në vlerë prej 15,000.00 eurove, për të ndihmuar Shqipërinë nga dëmet që i janë shkaktuar nga tërmeti.

Ky propozim-vendim është aprovuar me unanimitet të plotë të partive politike të Kuvendi Komunal të Obiliqit, këto mjetet do të dorëzohen përmes Ambasadës së Shqipërisë në Kosovë dhe MPJ-së, për të prekurit nga tërmeti që ndodhi disa ditë më parë.

Tutje është thënë se Kuvendi Komunal i Obiliqit, gjithashtu ka filluar nismën për të kontribuar me mjete financiare për familjarët e dy viktimave të Gjilanit nga tërmeti, duke përfshirë ekzekutivin, asamblen komunale , të gjithë vullnetarët dhe dashamirët, me këtë rast ka krijuar komisioni prej 3 asambleistëve të cilët do bëjnë mbledhjen e këtyre fondeve si në vijim: Fatos Kurshumliu, Fatmir Bekteshi, Labinot Mirena.

Kjo nismë do vazhdoj edhe nëpër bizneset e Komunës së Obiliqit, andaj ftojmë të gjithë vullnetë mirët që të kontribojnë me aq sa kanë mundësi dhe këto mjete do të dorëzohen tek familja Abazi në Gjilan në emër të të gjithë qytetarëve të Obiliqit.

Tërmeti në Shqipëri la të vdekur mbi 40 persona ndërsa 600 të tjerë kanë pësuar lëndime e mijëra kanë mbetur të pastrehë.

Pas tërmetit tragjik me magnitudë 6.4 rihter, që goditi Shqipërinë, operacioni i kërkim-shpëtimit në qytetin e Durrësi vijon ende nën rrënojat e hotel Mira Mare.