Komiteti Olimpik Ndërkombëtar merr vendim pas sulmeve të Rusisë në drejtim të Ukrainës

Pas ngjarjeve të fundit në Ukrainë, Komiteti Olimpik Ndërkombëtar u ka rekomanduar sot të gjitha Federatave Sportive Ndërkombëtare dhe organizatorëve të ngjarjeve sportive, të mos ftojnë ose lejojnë sportistët dhe zyrtarët e Rusisë dhe Bjellorusisë në garat ndërkombëtare.

Lajmi është bërë i ditur përmes një njoftimi në faqen zyrtare të Komitetit Olimpik Ndërkombëtar.

Sipas njoftimit, shtetasit rusë ose bjellorusë, qofshin si individë apo ekipe, duhet të pranohen vetëm si atletë neutralë ose skuadra neutrale. Nuk duhet të shfaqen simbole, ngjyra, flamuj apo himne kombëtare.

Po ashtu EB e IOC, bazuar në rrethanat e jashtëzakonshme të situatës dhe duke marrë parasysh shkeljen jashtëzakonisht të rëndë të armëpushimit olimpik dhe shkelje të tjera të Kartës Olimpike nga qeveria ruse në të kaluarën, ka marrë vendimin ad-hoc për tërheqjen e Urdhrit Olimpik nga të gjithë personat që aktualisht kanë një funksion të rëndësishëm në qeverinë e Federatës Ruse ose në pozicione të tjera të rangut të lartë të lidhur me qeverinë.