Ministri polak i sportit: Deri në 40 shtete mund t'i bojkotojnë Lojërat Olimpike të Parisit

Deri në 40 shtete mund t’i bojkotojnë Lojërat e ardhshme Olimpike, duke e bërë të pakuptimtë të gjithë ngjarjen, ka deklaruar ministri i sportit dhe turizmit i Polonisë, Kamil Bortniczuk, raporton BBC.

Komentet e tij erdhën pasi Polonia, Lituania, Estonia dhe Letonia refuzuan së bashku një plan të Komitetit Olimpik Ndërkombëtar (IOC) për t’i lejuar rusët dhe bjellorusët të marrin pjesë në Lojrat Olimpike në vitin 2024 të cilat pritet të organizohën në Paris.

Ukraina ka kërcënuar se do t’i bojkotojë Lojërat Olimpike të Parisit nëse kjo ndodh.

Mirëpo IOC  tha të enjten se çdo bojkot vetëm se do t’i “dënonte atletët”.

Bortniczuk tha se ai beson se do të jetë e mundur të ndërtohej një koalicion prej 40 shtetesh, duke përfshirë Britaninë e Madhe, Shtetet e Bashkuara dhe Kanadanë, për ta mbështetur një bllokim në planet e IOC  përpara një takimi më 10 shkurt.

IOC  njoftoi javën e kaluar se do të “eksploronte një shteg” për të lejuar atletët rusë dhe bjellorusë të garojnë në Paris nën një flamur neutral, duke shtuar se “asnjë atlet nuk duhet të pengohet të garojë vetëm për shkak të pasaportës së tyre”.

Ky vendim shkaktoi reagime , me Qeverinë e Mbretërisë së Bashkuar që tha se një plan i tillë është e një “bote larg realitetit të luftës”.

Qeveria e Shteteve të Bashkuara ka thënë se e mbështet pezullimin e organeve drejtuese të sporteve ruse dhe bjelloruse nga organizatat ndërkombëtare sportive dhe gjithashtu po i inkurajon organizatat ta ndalojnë transmetimin e ngjarjeve në të dy këto shtete.

Sekretarja e shtypit e Shtëpisë së Bardhë Karine Jean-Pierre ka shtuar se, nëse atletët lejohen të marrin pjesë në ngjarje të tilla si Lojërat Olimpike, duhet të jenë si atletë neutralë dhe “duhet të jetë absolutisht e qartë se ata nuk përfaqësojnë shtetet ruse apo bjelloruse”.

IOC përsëriti se ende nuk janë bërë diskutime për kthimin e atletëve rusë dhe bjellorusë në gara ndërkombëtare dhe e paralajmëroi Ukrainën dhe vendet e tjera për implikimet e kërcënimit me bojkot.

“Kërcënimi me bojkot i Lojërave Olimpike, të cilat Komiteti Olimpik i Ukrainës po shqyrton aktualisht, bie ndesh me bazat e lëvizjes olimpike dhe parimet për të cilat ajo qëndron”, ka thënë IOC./BBC

Përgatiti: Nuhi Shala