Pamje nga takimi Pllana- Ferrara. Foto: Facebook/ PK.

Komandanti i KFOR-it italian pritet në Drejtorinë e Policisë Rajonale në Ferizaj

Drejtori i Policisë për Rajonin e Ferizajt, Faton Pllana ka pritur në takim kolonel Francesco Ferrara, komandant i komandës së KFOR-it italian për Rajonin e Perëndimit.

“Gjatë këtij takimi drejtori rajonal Pllana e njoftoi kolonelin Ferrara dhe stafin e tij për situatën e sigurisë në rajon, të cilën e vlerësoi të jetë e qetë dhe për disa aktivitete që policia rajonale i ka ndërmarrë për parandalimin e incidenteve dhe aksidenteve”- thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës.

Sipas njoftimit, është diskutuar për avancimin e mëtejmë të marrëdhënieve ndërmjet policisë dhe forcave të KFOR-it italian,  me qëllim të ruajtjes së sigurisë së përgjithshme në rajon.

Ndërkaq, më 29.02.2024, një kontigjent turk si pjesë misionit të NATO-s në Kosovës, KFOR-it ka arritur në Kosovë.

KFOR-i në platformën X ka njoftuar se ky kontigjent “do të zëvendësojë një njësi të trupave italiane që ishin vendosur më herët, si pjesë e forcave rezervë të caktuara për KFOR-in”.