Gjykata e Pejës, seanca 02.07.2024, shqyrtim gjyqësor, Foto: KALLXO.com

"Këtu po thuhet një e pavërtetë" - Çka ndodhi në gjykimin për vrasjen e trefishtë në fshatin Gllogjan?

Gjykimi për vrasjen e trefishtë që ndodhi në Gllogjan mbrëmjen e datës 26.11.2021 ka kaluar në një fazë tjetër, atë të propozimit të provave të reja të Prokurorisë dhe mbrojtjes.

Një autobus me të cilin po udhëtonin nxënës që po ktheheshin nga shkolla ishte sulmuar me “Kallashnikov” në mbrëmjen e 26.11.2021.

Nga plumbat e shkrepur kishin mbetur të vrarë dy nxënës 17-vjeçarë, L.H. dhe G.M., si dhe shoferi i autobusit, G.Gj.

Për këtë rast po akuzohen Halil Mehmetaj dhe dy djemtë e tij, Kreshniku e Kastrioti.

Në seancën e sotme, më 02.07.2024 u vendos që si dëshmitarë të thirren nëna e të akuzuarve Kreshnik dhe Kastriot Mehmetaj, Cyme Mehmetaj, si dhe gruaja e të akuzuarit Kastriot Mehmetaj, Ilirjana Berisha.

Këtë propozim e pati avokatja Kosovare Kelmendi, e cila mbron të akuzuarin Kastriot Mehmetaj.

Propozimi u miratua nga trupi gjykues.

Përveç këtyre dy dëshmitareve do të dëgjohet edhe hoxha i fshatit Gllogjan, Besim Halilaj, përmes të cilit, sipas propozuesit, avokatit Florent Latifaj (i cili mbron të akuzuarin Halil Mehmetaj), do të vërtetohet rrethana e ceremonisë së varrimit të vajzës së ndjerë të të akuzuarit Halil Mehmetaj, që, sipas Prokurorisë, është edhe motiv i kësaj vrasjeje.

Këtë propozim e kundërshtoi prokurorja e rastit, Sahide Gashi, duke thënë se as në aktakuzë dhe as deri në këtë fazë të shqyrtimit nuk  është konstatuar se i akuzuari është betuar se do të hakmerret, ndërsa sa i përket vendosjes së orës së tij të dorës në arkivolin e vajzës së tij sipas prokurores kjo rrethanë nuk është kundërshtuar nga vetë i akuzuari Halil Mehmetaj.

“Sa i përket propozimit që të dëgjohet hoxha i fshatit Gllogjan, Besim Halilaj, lidhur me rrethanën se gjatë ceremonisë së varrimit të vajzës së të akuzuarit Halil, se ky i fundit se a është betuar se do të hakmerret… Prokuroria konsideron se as në aktakuzë, as deri në këtë fazë të shqyrtimit, në asnjë rast nuk është thënë apo konstatuar se i akuzuari është betuar se do të hakmerret. E sa i përket vendosjes së orës së tij të dorës në arkivolin e vajzës së tij, kjo rrethanë nuk është kundërshtuar në asnjë moment nga vetë i akuzuari Halil” – tha prokurorja Gashi.

Kjo deklaratë e prokurores ngjalli reagimin e avokatit Latifaj, i cili deklarimin e saj e quajti të pavërtetë, duke e ballafaquar prokuroren me aktakuzën e saj, për klientin e tij.

“Këtu po thuhet një e pavërtetë. Tash unë s’muj me hesht para një të pavërtete. Qe po të tregoj cila është e pavërteta. Në dispozitivin e dytë që ka të bëjë me Halil Mehmetajn, në rreshtin e pestë thuhet: “Për më tepër, i njëjti ishte betuar në hakmarrje, kur me rastin e ceremonisë së varrimit të së njëjtës…” . Qeto i ka thanë prokurorja, e tash me u çu me na thanë këtu që s’kam thanë për hakmarrje, s’u betu për hakmarrje… s’e di a ka kjo ma logjikë… Nëse e ndërron aktakuzën le të tregon edhe… është OK” – u shpreh avokati Latifaj.

Në mesin e dëshmitarëve të tjerë që do të dëgjohen janë edhe dy ekspertë balistikë, njëri nga Zvicra, i propozuar nga mbrojtja dhe tjetri nga Shqipëria, i propozuar nga Prokuroria.

Të akuzuarit Kreshnik, Kastriot dhe Kreshnik Mehmetaj, seanca 02.07.2024, Foto: KALLXO.com

Nue Mehmeti, Isa Dervishaj dhe Bekim Dodaj janë dëshmitarët që i propozoi avokati Sylë Lokaj dhe u miratuan nga Gjykata që të dëgjohen.

Propozimet e avokatit Florent Latifaj që të dëgjohet hoxha i fshatit Gllogjan, Besim Halilaj, si dhe Shefqet Mehmetaj dhe Isa Mehmetaj u miratuan nga Gjykata.

Kurse u refuzua propozimi që të dëgjohet si dëshmitar Malësor Mehmetaj meqë i njëjti, sipas Prokurorisë dhe Gjykatës, ka qenë i pandehur gjatë hetimeve në këtë rast bashkë me të akuzuarit e tanishëm.

Në seancën datës 26.04.2024 ishte dëgjuar dëshmitarja Nexhmije Zhutaj, e cila para trupit gjykues kishte thënë se në natën kritike teksa ishte me fëmijët dhe burrin e saj me makinë e kishte parë një person të fshehur në rrugë, i veshur me pallto të gjatë dhe të zezë.

“Nuk kam folur ngase kam menduar se po i tuti fëmijët, do të thotë nuk ju kam tregu as burrit e as fëmijëve. Kur kam shku te baba dhe treguan se ndodhi ky rast, unë kam tregu se e kam pa këtë person, në atë moment edhe ka vetuar, e ka bo zoti dritë dhe e kam pa atë njeri, ka qenë duke ra shumë shi, nuk e kam njoftë njeriun ngase ka qenë i veshur me një pallto të gjatë të zezë, krejt zi”- kishte deklaruar dëshmitarja.

Kurse më 23.04.2024 ishin dëgjuar dy dëshmitarë të Prokurorisë, Gazmend Zeqiraj dhe Granit Mustafaj – vëllai i vajzës së vrarë në sulmin ndaj autobusit.

Dëshmitari Zeqiraj kishte deklaruar se në natën kritike e kishte dëgjuar një bisedë në mal mes dy personave. Njëri nga ta, sipas tij, kishte ardhur me veturë nga Kullat e Haradinajve, kurse personi tjetër kishte qenë i fshehur në ferra.

Biseda mes dy personave që e kishte dëgjuar ishte: “Ku është ai ahmaki?”. Kurse tjetri iu kishte përgjigjur: “U shku me vra Ganinë”.

Dëshmitari kishte thënë se nuk i ka parë këta persona, por vetëm i kishte dëgjuar.

“Qita dy persona që kanë bisedu mes vete, qind për qind nuk janë kanë të Gllogjanit, sa i njoh unë djemtë e Gllogjanit në zë” – kishte thënë dëshmitari.

Dëshmitari tjetër Mustafaj para gjykatës kishte thënë se e kishte parë të akuzuarin Halil Mehmetaj para dyerve të shtëpsië së tij në natën kritike pasi kishte ndodhur rasti.

“Te lokali është kanë t`u kthy, në atë moment kur është kthy e kam pritë, jam afru te kerri, e ka hapë dritaren jam afru kah ana e shoferit, dhe i kam thanë se: “E kanë sulmu autobusin, se Genta u kanë në autobus”. Më ka thanë: “E di, dhe jam në kontakt me mjekë, ka me bo ma mirë”- ishte shprehur dëshmitari.

Më 08.02.2024 ishte dëgjuar rrëfimi i nxënëses Andina Bajramaj, tani 19-vjeçare, e cila kishte qenë në autobusin e sulmuar në natën kritike, dhe kishte dhënë përshkrime mbi sulmuesin, por nuk kishte arritur t’ia shihte fytyrën të njëjtit.

Detaje mbi veshmbathjen e sulmuesit kishin dhënë edhe dy nxënës tjerë që ishin dëgjuar në këtë gjykim.

Edhe gruaja e shoferit të ndjerë kishte dhënë dëshminë e saj, por seanca ishte mbyllur për publikun për shkak të ndjeshmërisë së dëshmisë së saj.

Për këtë rast ishin dëgjuar edhe dëshmitaret Pranvera Halilaj dhe Rozeta Pjetraj, që sipas prokurorisë do të vërtetonin motivin e hakmarrjes së kësaj vrasjeje.

Por, për shkak që këta dëshmitarë kishin rrëfyer detaje nga jeta personale e tani të ndjerës H.M., vajzës së të akuzuarit Halil Mehmetaj, e nga jeta personale e vetë të akuzuarëve, publiku ishte përjashtuar.

Cili është motivi i vrasjes sipas Prokurorisë?

Kjo vrasje dyshohet se është bërë për qëllime hakmarrëse ndaj shoferit G. Gj., duke e lidhur këtë vrasje me “vetëvrasjen e H. M., në vitin 2020”, e cila ishte e bija e të akuzuarit Halil Mehmetaj.

Sipas Prokurorisë, për këtë vetëvrasje që kishte ndodhur në familjen Mehmetaj, këta të fundit e kishin fajësuar shoferin G. Gj., i cili u vra në sulmin kundër autobusit.

I akuzuari Halil Mehmetaj, sipas Prokurorisë, është betuar për hakmarrje tek varri i vajzës së tij kur e ka varrosur, duke vënë orën e dorës së tij në arkivolin e vajzës.

Sipas dosjes, Kreshnik e Kastriot Mehmetaj kishin planifikuar vrasjen dhe kishin ndarë detyrat, për mënyrën dhe kohën e kryerjes së vrasjes, kurse babai tyre i kishte shtyrë në këto veprime.

Asnjëri nga të akuzuarit nuk e ka pranuar fajësinë për këtë.

Në këtë gjykim janë dëgjuar edhe rrëfimet e prindërve të nxënësve të vrarë në natën kritike.

Beqë Hamzaj dhe Florim Mustafaj kanë dhënë rrëfimet e tyre për ngjarjen në të cilën u vranë fëmijët e tyre 17-vjeçarë.

Lidhur me hakmarrjen në fjalë, për të cilën Prokuroria po dyshon si është motivi i vrasjes, Beqë Hamzaj kishte thënë se vrasja e fëmijëve ishte bërë për ta mbuluar hakmarrjen.

Mbrojtja e të akuzuarve këtë motiv e kishte cilësuar si hetim të gabuar e veprime të ngutshme, duke u bazuar sipas tyre në spekulime dhe thashetheme të fshatit, të cilat e kanë orientuar gabimisht Prokurorinë në ndriçimin e rastit.

Aktakuza e ngritur nga Prokuroria e Pejës ishte bërë publike përmes një konference nga ky institucion, në të cilën ishin shpalosur detaje mbi veprimet hetimore të ndërmarra.

Ngjarja e ndodhur në Gllogjan ishte konsideruar tronditëse edhe për opinionin publik.

Arrestimi i të akuzuarve kishte ndodhur vetëm disa ditë pas ngjarjes së rëndë.

Ndaj Kreshnik dhe Kastriot Mehmetajn rëndojnë akuzat për vrasje të rëndë në bashkëkryerje, ndërsa Halil Mehmetaj akuzohet për shtytje në vrasje të rëndë.

Mbi ta rëndon edhe akuza e armëmbajtjes pa leje.

Akuza përfaqësohet nga prokurorja Sahide Gashi, kurse rasti gjykohet nga trupi gjykues i përbërë nga kryetarja Violeta Husaj- Rugova, Shaqë Curri dhe Leon Përlaska – anëtarë.