Seanca gjyqësore për vrasjen e trefishtë në Gllogjan, Foto: KALLXO.com

Vrasja e trefishtë në Gllogjan - “Palohu ti aty”, përplasje mes njërit të akuzuar dhe familjarit të njërës nga viktimat

Në seancën e mbajtur më 24.05.2024, në Gjykatën e Pejës ka vazhduar dëshmia e Valdrin Dervishajt në rastin e vrasjes së trefishtë në Gllogjan

Në këtë rast, Kreshnik, Halil e Kastriot Mehmetaj, akuzohen se të shtyrë nga hakmarrja kanë sulmuar autobusin në Gllogjan më 26.11.2021, në të cilën mbetën të vrarë 3 persona, dy nxënës 17 vjeçarë, – L.H. dhe G.M., dhe shoferi i autobusit G.Gj.

Dervishaj e kishte filluar dëshminë e tij më 24.04.2024. Në vazhdimin e dëshmisë së tij, ai rrëfeu për natën kritike. Ai tha se e kishte parë njërin të akuzuar, Kreshnik Mehmetaj, me veturën e tij Toyota ngjyrë e bardhë te marketi “24 marsi” në fshatin Gllogjan.

Avokati Sylë Lokaj, i cili mbron të akuzarin Kreshnik Mehmetaj pyeti dëshmitarin “a e keni parë shoferin kur ka dalë prej veturës që po thoni apo nuk e keni parë”

“Ky nuk është duke ditë çka është t’u folë e çka po thotë. Mos fol palidhje, unë çka kam thonë është e saktë” – thotë dëshmitari Dervishaj.

Dervishaj më tej tha se mbetet pranë deklarimeve të dhëna në seancën e kaluar, të mbajtur më 24.04.2024, në prokurori dhe në polici.

Ai shtoi se në seancën e kaluar e kishte ngatërruar ngjyrën e veturës me të cilën kishte thënë se e kishte parë të akuzuarin Kreshnik Mehmetaj “për shkak të stresit”.

Gjatë seancës gjyqësore në të cilën dëshmoi Valdrin Dervishaj pati një përplasje verbale mes të akuzuarit Kreshnik Mehmetaj, dhe familjarit të njërit prej viktimave që mbeti i vrarë në mbrëmjen e 26.11.2021.

“Palohu ti aty” – i tha i akuzuari Kreshnik Mehmetaj familjarit të njërit prej viktimave.

Kryetarja e trupit gjykues, Violeta Husaj Rugova, i tërhoqi vërejtjen të akuzuarit duke i thënë se i njëjti nuk ka të drejtë të komunikojë me palët e tjera.

Cili është motivi i vrasjes sipas Prokurorisë?

Kjo vrasje dyshohet se është bërë për qëllime hakmarrëse ndaj shoferit G.Gj., duke e lidhur këtë vrasje me “vetëvrasjen e H.M., në vitin 2020”, e cila ishte bija e të akuzuarit Halil Mehmetaj.

Sipas Prokurorisë, për këtë vetëvrasje që kishte ndodhur në familjen Mehmetaj, këta të fundit e kishin fajësuar shoferin G.Gj, i cili u vra në sulmin kundër autobusit.

Edhe gruaja e shoferit të ndjerë kishte dhënë dëshminë e saj, por seanca ishte mbyllur për publikun për shkak të ndjeshmërisë së dëshmisë së saj.

I akuzuari Halil Mehmetaj, sipas Prokurorisë është betuar për hakmarrje tek varri i vajzës së tij kur e ka varrosur, duke vënë orën e dorës së tij në arkivolin e vajzës.

Sipas dosjes, Kreshnik e Kastriot Mehmetaj kishin planifikuar vrasjen dhe kishin ndarë detyrat, për mënyrën dhe kohën e kryerjes së vrasjes, kurse babai tyre i kishte shtyrë në këto veprime.

Asnjëri nga të akuzuarit nuk e ka pranuar fajësinë për këtë.

Në këtë gjykim janë dëgjuar edhe rrëfimet e prindërve të nxënësve të vrarë në natën kritike.

Beqë Hamzaj dhe Florim Mustafaj kanë dhënë rrëfimet e tyre për ngjarjen në të cilën u vranë fëmijët e tyre 17-vjeçarë.

Lidhur me hakmarrjen në fjalë, për të cilën Prokuroria po dyshon si është motivi i vrasjes, Beqë Hamzaj kishte thënë se vrasja e fëmijëve ishte bërë për ta mbuluar hakmarrjen.

Mbrojtja e të akuzuarve këtë motiv e kishte cilësuar si hetim të gabuar e veprime të ngutshme, duke u bazuar sipas tyre në spekulime dhe thashetheme të fshatit, të cilat e kanë orientuar gabimisht Prokurorinë në ndriçimin e rastit.

Aktakuza e ngritur nga Prokuroria e Pejës ishte bërë publike përmes një konference nga ky institucion, ku ishin shpalosur detaje mbi veprimet hetimore të ndërmarra.

Ngjarja e ndodhur në Gllogjan ishte konsideruar tronditëse edhe për opinionin publik.

Arrestimi i të akuzuarve kishte ndodhur vetëm disa ditë pas ngjarjes së rëndë.

Mbi Kreshnik dhe Kastriot Mehmetajn rëndojnë akuzat për vrasje të rëndë, ndërsa Halil Mehmetaj akuzohet për shtytje në vrasje të rëndë.

Akuza përfaqësohet nga prokurorja Sahide Gashi.

Ky rast gjykohet nga trupi gjykues i përbërë nga Violeta Husaj- Rugova, Shaqë Curri dhe Leon Përlaska.

Raportimet e KALLXO.com në lidhje me këtë rast mund t’i gjeni KËTU.