Vrasjet në Deçan: Plumbat e shkrepur përfunduan në trupat e viktimave

Gjatë ditës së sotme ka përfunduar këqyrja e vendit të ngjarjes nga ana e ekipeve hetimore të Policisë pas ngjarjes të së premtes ku mbetën të vrarë tre persona, dy nxënës dhe shoferi i një autobusi i cili po udhëtonte nga Gjakovë drejt Deçanit.

KALLXO.com verr vesh se në drejtim të autobusit i cili u qëllua me Kallashnikov janë shkrepur më pak se dhjetë plumba. Të gjithë plumbat kanë qëlluar personat në autobus, tre prej të cilëve nuk arritën t’u mbijetonin plagëve të marra e një tjetër është ende duke u trajtuar.

Në vendin e ngjarjes janë gjetur predhat e plumbave të Kallashnikovit me të cilin u sulmua autobusi.

Gjatë ditës së djeshme, prokurorja e rastit, Sahide Gashi, ka thënë se në drejtim të autobusit është zbrazur një karikator.

“Deri tash, me informatat që posedojmë, është përdorur një kKallashnikov, thuhet që është zbrazur pothuajse një karikator”, tha në konferencën e djeshme prokurorja e rastit.

Se nuk është zbrazur i gjithë karikatori i Kallashnikovit drejt autobusit e ka konfirmuar për KALLXO.com edhe kryeprokurori i Prokurorisë së Pejës, Agim Kurmehaj.

“Janë gjujtë disa plumba në bazë të informatave dhe gëzhojave që janë marrë, nuk është i zbrazur një karikator, jo”, tha shkurt Kurmehaj në një bisedë përmes telefonit me KALLXO.com.

Mbrëmjen e së premtes së kësaj jave, Kosova u trondit nga një sulm me armë që kishte ndodhur në drejtim të një autobusi i cili ishte në qarkullim e në të cilin vdiqën tre persona e një tjetër u plagos.

Dy nxënës të cilët ishin duke u kthyer në fshatin Gllogjan kanë vdekur rrugës drejt spitalit ndërsa sipas informacioneve zyrtare shoferi i autobusit ka vdekur në vendin e ngjarjes.

Deri më tani ende nuk ka ndonjë person të identifikuar në lidhje me rastin ndërsa gjatë ditës së djeshme ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla bëri thirrje që dorasi të dorëzohet.

Prokuroria e Shtetit në anën tjetër ka bërë apel të qytetarët që të bashkëpunojnë në lidhje me ndonjë informacion që qon drejt zbardhjes së rastit.

Që nga e premtja e deri më sot ende nuk dihet motivi i cili ka dërguar deri në sulmin ndaj autobusit ndërsa janë hetuar disa pista të dyshimta dhe janë intervistuar disa persona në cilësinë e dëshmitarëve.

Në vendin e ngjarjes kanë dalë ekipet e ndryshime policore, ekspertë, zyrtarë të Prokurorisë së Shtetit, Prokurorisë Speciale.

Gjatë ditës së sotme është varrosur edhe shoferi i autobusit ndërsa varrimi i dy nxënësve pritet të nis në orën 14:00 në varrezat e fshatit Gllogjan.

Vrasja e trefishtë në Deçan, Prokurorja Gashi: Është zbrazur një karikator i kallashnikovit