Kastriot Mehmetaj, i akuzuar, seanca e datës 12.1.2024 - Foto: KALLXO.com

Vrasja e trefishtë në Gllogjan, rrëfim tronditës i nxënësve që ishin në autobusin e sulmuar

Blendi Mustafa dhe Ermelinda Osmanaj ishin dëshmitarët e radhës, të cilët dhanë dëshmitë e tyre në gjykimin ndaj Halil, Kreshnik e Kastriot Mehmetajt, për rastin e vrasjes së trefishtë në Gllogjan.

Rasti kishte ndodhur në nëntor të vitit 2021, kur një autobus ishte sulmuar me “Kallashnikov” e të vrarë kishin mbetur dy nxënës dhe shoferi i autobusit.

Nga kjo ngjarje nxorën rrëfimet e tyre dy nxënësit, duke treguar për përjetimet e tyre e traumat që ua ka lënë ajo natë.

Të dy dëshmitarët kishin qenë në ulëset e para të autobusit, pas kondukterit, dhe kishin arritur ta shohin sulmuesin, veshjet e tij, lëvizjet por jo edhe fytyrën.

Sulmuesi, sipas tyre, kishte dalë në mes të rrugës para autobusit që po qarkullonte në rrugët e Gllogjanit. Ai kishte lëvizur sikur të ishte në gjendje të dehur dhe i tkurrur, me shpinë të kthyer nga autobusi.

Sipas dëshmisë së tyre, shoferi kishte ngadalësuar shpejtësinë dhe sulmuesi ishte afruar dhe kishte drejtuar pozitën e trupit të tij.

Lidhur me reagimet e shoferit tanimë të ndjerë, dëshmitarja Osmanaj tha se ai ishte ngritur nga ulësja e tij dhe i kishte ngritur duart lart, kur kishte parë armën e sulmuesit.

Autobusi kishte pasur 9 pasagjerë në total në momentin kritik, përfshirë edhe shoferin.

Detaje mbi veshmbathjen e sulmuesit dhanë të dy nxnësit, duke thënë se ai kishte pasur xhaketë të zezë, çizme të gjata të plastikës, një rrip të gjelbër në krahun e djathtë dhe kapelë në kokë.

Mustafa dhe Osmanaj ishin intervistuar edhe gjatë hetimeve, kur u ishin prezantuar edhe fotografi të njerëzve për ta identifikuar personin që e kishte shkaktuar këtë tragjedi.

Ata nuk kishin arritur të identifikonin këtë person.

Nxënësit, përveç detajeve përshkruese, thanë se kishin qenë të frikësuar, e Osmanaj u deklarua se edhe sot ndihet e pasigurt kudo që ndodhet për shkak të asaj që kishte përjetuar.

“Më ka ndikuar shumë keq, ndihem e pasigurt kudo që jam” – tha ajo para Gjykatës.

Ajo shtoi se dy nxënësit e vrarë kishin qenë dy shokët e saj më të mirë me të cilët ishte rritur, çka e ka bërë edhe më të vështirë për të.

Ky gjykim do të vazhdojë në muajin shkurt, kur do të dëgjohen dëshmitarë të tjerë, përmes të cilëve sipas Prokurorisë do të vërtetohet motivi i kësaj ngjarjeje.

Motivi i vrasjes sipas Prokurorisë

Kjo vrasje dyshohet se është bërë për qëllime hakmarrëse ndaj shoferit G.Gj., duke e lidhur këtë vrasje me vetëvrasjen e H.M. në vitin 2020, e cila ishte bija e të akuzuarit Halil Mehmetaj.

Sipas Prokuorisë, për këtë vetëvrasje që kishte ndodhur në familjen Mehmetaj, këta të fundit e kishin fajësuar shoferin G.Gj, i cili u vra në sulmin kundër autobusit.

Edhe gruaja e shoferit të nderjë kishte dhënë dëshminë e saj, por seanca ishte mbyllur për publikun për shkak të ndjeshmërisë së rastit.

Halil Mehmetaj, sipas Prokurorisë është betuar për hakmarrje tek varri i vajzës së tij kur e ka varrosur, duke vënë orën e dorës së tij në arkivolin e vajzës.

Sipas dosjes, Kreshnik e Kastriot Mehmetaj kishin planifikuar vrasjen dhe kishin ndarë detyrat, për mënyrën dhe kohën e kryerjes së vrasjes, kurse babai tyre i kishte shtyrë në këto veprime.

Asnjëri nga të akuzuarit nuk e ka pranuar fajësinë për këtë.

Në këtë gjykim janë dëgjuar rrëfimet e prindërve të nxënësve të vrarë në natën kritike.

Beqë Hamzaj dhe Florim Mustafaj kanë dhënë rrëfimet e tyre për ngjarjen në të cilën u vranë fëmijët e tyre 17-vjeçarë.

Lidhur me hakmarrjen në fjalë, për të cilën Prokuroria po dyshon si është motivi i vrasjes, Beqë Hamzaj kishte thënë se vrasja e fëmijëve ishte bërë për ta mbuluar hakmarrjen.

Mbrojtja e të akuzuarve këtë motiv e kishte cilësuar si hetim të gabuar e veprime të ngutshme, duke u bazuar sipas tyre në spekulime dhe thashetheme të fshatit, të cilat e kanë orientuar gabimisht Prokurorinë në ndriçimin e rastit.

Për këtë rast, provat të cilat Prokuroria thotë se do e mbështesë akuzën e saj janë dëshmitë e dëshmitarëve, provat materiale, ku përfshihen skica, kamera të sigurisë e përgjime të bisedave mes të akuzuarve.

Aktakuza e ngritur nga Prokuroria e Pejës ishte bërë publike përmes një konference nga ky institucion, ku ishin shpalosur detaje mbi veprimet hetimore të ndërmarra.

Ngjarja e ndodhur në Gllogjan ishte konsideruar tronditëse edhe për opinionin publik.

Arrestimi i të akuzuarve kishte ndodhur vetëm disa ditë pas ngjarjes së rëndë.

Mbi Kreshnik dhe Kastriot Mehmetajn rëndojnë akuzat për vrasje të rëndë.

Akuza përfaqësohet nga prokurorja Sahide Gashi.

Ky rast gjykohet nga trupi gjykues i përbërë nga Violeta Husaj- Rugova, Shaqë Curri dhe Leon Përlaska.