Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Këto janë politikat që do t'i shtyjnë përpara gratë kandidate për Kuvendin Komunal të Drenasit

Kandidatët gra për Asamblenë e Drenasit në Debat Pernime kanë treguar prioritetet që do t’i shtyjnë përpara nëse do të arrijnë të marrin besimin e qytetarëve.

Ato kanë thënë se do të punojnë për mbështetjen e grave, hapjen e çerdheve dhe disa prioritete të tjera.

Edolina Plakiqi nga AAK ka thënë se do të punojë që të mbështesë rininë dhe gratë.

“Do të fokusohen në mbështetje të rinisë dhe grave, gjithashtu do të punoj që Drenasi të ketë çerdhe sepse shumë nëna janë detyruar të lënë punën për shkak se nuk kanë ku t’i lënë fëmijët”, ka deklaruar Plakiqi.

Kurse Egzona Tërdevci nga LVV tha se do të punojë që 22 fshatrat e të kenë ujë të pijshëm.

“Politikat që unë do të angazhohem janë: ujë të pijshëm për 22 fshatra, çerdhe publike, mbështetje për nënat lehona dhe vetushqyese, mbështetje për start-up, bursa për nxënës e sidomos për vajzat, rifunksionalizim të maternitetit në QKMF në Drenas”, ka thënë Tërdevci.

Edhe Egzona Jetullahi nga PDK tha se do t’i mbështesë gratë.

“Do të përkrah zhvillimin e qëndrueshëm të Drenasin e sidomos bizneset që udhëhiqen nga gratë. Prioritet i imi është fuqizimi i grave në vendimmarrje”, ka thënë Jetullahi.

Ndërsa Heroina Krasniqi nga Iniciativa Qytetare “Green për Drenasin tha se do të punojë që rrisë numrin e çerdheve.

“Do të punoj që të ndryshoj rolin e gruas në Drenas pasi ende është i margjinalizuar. Do të punoj që ta rrisim numrin e çerdheve në qytet dhe fshatra në mënyrë që gratë të kyçen në tregun e punës. Do të punojmë për subvencionimin e grave”, ka thënë Krasniqi.

E Sadete Hysenaj nga Demokratët për Drenasin tha se do të punojë që për mbrojtjen e mjedisit.

“Vizioni im për Drenasin është mbi arsimin dhe mbrojtjen e mjedisit. Do të inicioj një ekip për vlerësimin e kandidatëve për mësimdhënësit. Do të punoj për hapjen e institucioneve parashkollore në vendet rurale”, ka deklaruar Hysenaj.

Kandidatët e partive politike, të cilët synojnë të marrin udhëheqjen e Drenasit diskutojnë në #DebatPernime për planet e tyre pas zgjedhjeve të 17 tetorit.

Të ftuar në DebatPernime janë kandidatët për kryetar/e të komunës së Drenasit: Arta Ahmeti Xhylani nga AAK; Driton Ajazi nga Demokratët për Drenasin; Fejzi Kiqina nga LVV; Ramiz Lladrovci nga PDK dhe Xhavit Drenori nga Iniciativa Qytetare “Green për Drenasin”.

Përballë kandidatëve për kryetar të komunës do të jenë edhe kandidatet për asambliste në Kuvendin Komunal të Drenasit: Edolina Plakiqi nga AAK; Egzona Tërdevci nga LVV; Egzona Jetullahi nga PDK; Erstina Nika nga LDK; Heroina Krasniqi nga Iniciativa Qytetare “Green për Drenasin dhe Sadete Hysenaj nga Demokratët për Drenasin.

Debati transmetohet në orën 20:30 në RTV Dukagjini dhe drejtpërdrejt në Facebook të KALLXO.com.