Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë mirëpresin emërimin e Miroslav Lajçak në krye të dialogu Kosovë-Serbi

Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë (KASH) ka mirëpritur emërimin e Miroslav Lajçak, si Përfaqësuesi Special i BE-së për Dialogun Kosovë-Serbi dhe për Çështje të Tjera të Rajonit të Ballkanit Perëndimor.

KASH beson se Lajçak do të promovojë politikat dhe interesat e BE-së në rajon, duke luajtur një rol aktiv në përpjekjet për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës si dhe përmirësimin e marrëdhënieve të Fqinjësisë së Mirë dhe pajtimin ndërmjet partnerëve në Ballkanin Perëndimor.

“Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë dëshiron të ripërsërisë se statusi i Kosovës, si shtet i pavarur multietnik, brenda kufijve të tij të njohur ndërkombëtarisht, të përcaktuar në opinionin e Komitetit të Arbitrazhit të Badinterit, të konfirmuar në Paketën Ahtisaari dhe të miratuar nga GjND, nuk ka më nevojë për diskutime të mëtejshme, për arsye se ai i ka shërbyer në mënyrë thelbësore paqes, sigurisë dhe stabilitetit në rajonin tonë dhe më gjerë”, thuhet në komunikatë.

Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë, në komunikatë kanë thënë se besojnë se politikat parimore të BE-së, ekspertiza e gjerë e Lajçak dhe përpjekjet e tij për të adresuar çështjet e pazgjidhura ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, do të lehtësojnë njohjen e ndërsjellë të të dy shteteve të pavarura fqinje.

Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë është një organizatë e pavarur dhe jofitimprurëse nga një grup ish ambasadorësh që ndjekin modelet e ngjashme në vendet demokratike. Në përputhje me ligjin shqiptar, ky Këshill është një shoqatë e hapur për anëtarësim për të gjithë ata që janë të gatshëm dhe që plotësojnë kushtet e përcaktuara në Statutin e tij.

Anëtarët e Këshillit të Ambasadorëve ndoshta të gjithë ata që kanë shërbyer të paktën një mandat si Ambasador i Republikës së Shqipërisë ose që kanë qenë diplomat të lartë me funksione drejtuese për më shumë se pesë vjet në Ministrinë e Punëve të Jashtme. Ish Ministrat e Jashtëm gjithashtu kanë të drejtë të anëtarësohen në këtë Këshill.