Ilustrim

Kërkohet heqja e kufizimit për importin e veturave të vjetra

Deputetët e Komisionit për Zhvillim Ekonomik kërkojnë të ndryshohet neni 44 i Ligjit për Automjete me anë të të cilit kërkohet mos lejimi i importit të automjeteve më të vjetra se dhjetë vjet.

Ishte deputeti Mërgim Lushtaku që kërkoi të hiqet ky kufizim.

Ai kërkoi edhe ndryshimin e nenit 63 të këtij ligji për shpenzimet e larta për regjistrimin e automjeteve, në këtë rast në procesin e ndërrimit të pronarit.

Propozimin e Lushtakut e ka përkrahur edhe kolegia e tij, Sala Berisha -Shala, e cila tha se edhe në aspektin e kontrollit të automjeteve ka shkelje të konkurrencës së lirë.

Por, Avdi Kamerolli nga Ministria e Infrastrukturës ka thënë se nuk ka nevojë të bëhet ndryshimi i ligjit për heqjen e përkufizimit të veturave, sepse sipas tij, Kosova shndërrohet në varreza me automjete të kalbura, të cilat rrezikojnë edhe trafikun.

Deputetja nga LDK-ja, Hikmete Bajrami tha se ndryshimi i nenit 44 për heqjen e kriterit për vjetërsinë e automjeteve duhet të analizohet mirë, ndërsa ka mbështetur ndryshimin e nenit 63 për procesin e regjistrimit të automjeteve.

Pa asnjë votë kundër, anëtarët e Komisionit për Zhvillim Ekonomik kanë përkrahur iniciativën e deputetit, Mërgim Lushtaku për ndryshimin e Ligjit të Automjeteve.