Ilustrim

Siguria në trafik, raportohet për vetëm një aksident me fatalitet gjatë muajit prill

Policia e Kosovës ka njoftuar lidhur me aktivitetet policore që janë ndërmarrë gjatë muajit prill e që lidhen me sigurinë në trafik.

Sipas njoftimit, gjatë muajit që lamë pas ka ndodhur vetëm një aksident me fatalitet.

Policia ka thënë se qëllim primar i saj është parandalimi i aksidenteve në përgjithësi, e në veçanti atyre me pasoja fatale.

“Bazuar në objektivat strategjike, planet operacionale të dedikuara për sigurinë rrugore, Policia e Kosovës ka arritur rezultate pozitive në rritjen e sigurisë në trafik si dhe në parandalimin e aksidenteve me pasoja fatale” – thuhet në komunikatë.

Tutje është thënë se këto rezultate kanë ardhur edhe si pasojë e prezencës së shtuar policore në terren, angazhimit të njësiteve policore me veturat inteligjente në patrullime dhe pika kontrolli, ligjërimeve në shkolla, fushatave të ndryshme sensibilizuese me media, bashkëpunimi dhe koordinimi i aktiviteteve me institucionet relevante në një formë apo tjetër e të tjera.

Këto veprime Policia tha se kanë ndikuar në sensibilizim e pjesëmarrësve në trafik, e që ka reflektuar në uljen e aksidenteve me pasoja fatale.

“Policia, përmes Divizionit të Trafikut, në vazhdimësi bën edhe rekomandime për institucionet qendrore dhe ato lokale mbi të gjeturat dhe nevojat e paraqitura në rrugët nacionale, rajonale dhe ato lokale, me qëllim të rritjes së mëtejme të sigurisë rrugore, e që ndikon drejtpërsëdrejti në parandalim të aksidenteve fatale dhe në shpëtim të jetës së qytetarëve” – thuhet në komunikatë.

Divizioni në fjalë, së bashku me njësitë rajonale, gjatë muajit prill kanë realizuar 5 plane operative me 25 aktivitete për ngritjen e sigurisë në trafikun rrugor, kanë kryer 61 përcjellje të personaliteteve të rëndësishme e 51 përcjellje të materieve të rrezikshme.

Po ashtu, Divizioni i Trafikut ka nisur edhe 38 shkresa në Ministrinë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës (MMPHI) dhe në komunat përkatëse që kanë të bëjnë me infrastrukturën rrugore dhe ka realizuar 11 ligjërata në institucione shkollore.

Policia e Kosovës tha se përmes njësiteve policore do të vazhdojë aktivitetet në terren dhe njëkohësisht u ka bërë thirrje të gjithë pjesëmarrësve në trafik për vozitje të kujdesshme dhe respektim të rregullave në trafik, për të vazhduar edhe më tej uljen e aksidenteve me pasoja fatale, si dhe për siguri edhe më të madhe në trafik.