Kërkohen vetura me qira për projektin për incizimin dhe regjistrimin e fondkrijuesve për arkivin shtetëror

Agjencia Shtetërore e Arkivave të Kosovës (AShAK), duket se ka nevojë për vetura me qira. Pasi kjo kërkesë ka të bëjë me projektin për incizimin dhe regjistrimin e fondkrijuesve dhe materialit arkivor.

Dikasteri qeveritar i kulturës dhe sportit, ka hapur tender për të realizuar këtë qiramarrje të veturave.

Si vlerë e parashikuar për kontratë, është caktuar shuma prej 17,000 euro.

Procedura e hapur e prokurimit është lloji i procedurës së përdorur për këtë aktivitet të prokurimit me kriter për dhënie të kontratës, çmimi më i ulët.

Sipas kërkesës nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, gjashtë vetura jo më të vjetra se 10 vite, parashihen të merren në kohëzgjatje prej tre muajve.

Në fillim të muajit shkurt 2022, KALLXO.com raportoi se dokumenti më i vjetër që ruhet në arkivin shtetëror të Kosovës është Vakëfnameja e Mehmed Pashë Kaçanikut’ e vitit 1608. Vakëfnameja është në gjuhën osmane e shkruar me shkrim arab.

Vakëfnameja dhe fjalori në dorëshkrim janë pjesë e koleksionit osman të dokumenteve dhe dorëshkrimeve që ruhet AShAK.

Ky fond ofron informacione për situatën socio-ekonomike e kulturore në Kosovë gjatë sundimit osman.

Dokumentet e vjetra që ruhen në Agjencinë e Arkivave të Kosovës