Ministria e Sportit thotë se Stadiumi Kombëtar duhet të ndërtohet në Drenas

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS), ka reaguar në lidhje me diskutimet për lokacionin e stadiumit kombëtar të Kosovës.

Përmes një komunikate, kjo ministri që drejtohet nga Kujtim Shala i PDK-së, ka thënë se lokacioni në Drenas është më i favorshmi dhe se tashmë projekti ka filluar dhe hartimi i tij ka kushtuar mbi 1 milion euro.

Një deklaratë e mbëmshme e deputetit të LDK-së, Lumir Abdixhiku, se koalicioni VV-LDK është pajtuar që stadiumi me rreth 30 mijë ulëse të ndërtohet në Bërnicë afër Prishtinës e jo në Drenas, ka ngjallur shumë reagime.

Ndryshimi i Dyshimtë i Lokacionit dhe Projektit të Stadiumit

Në komunikatë ministria thotë se edhe pse fillimisht ishte planifikuar që stadiumi të ndërtohet në Prishtinë, në hapësirën e menduar ka pasur konteste pronësore, ndërsa ka kritikuar edhe ish qeverinë Mustafa , se nuk ka zhavilluar asnjë procedurë për ndërtimin e stadiumit.

“MKRS-ja fillimisht ka planifikuar që Stadiumin Kombëtar të Kosovës ta ndërtojë në Prishtinë. Kemi analizuar hapësirën në fshatin Bërrnicë, e cila ka rezultuar me konteste pronësore, ka pasur hapësira që është dashur të shpronësohen dhe kjo e ka rritur koston e tërësishme të projektit, për më keq, ish-qeveria Mustafa nuk kishte zhvilluar asnjë procedurë për ndërtimin e stadiumit në Bërrnicë”, thuhet në komunikatë.

Stadiumi Kombëtar që s’po zë vend

Tutje, Ministria e Sportit thekson se komuna e Drenasit ka shprehur gatishmëri për të bashkëpunuar dhe se lokacioni i ofruar nuk ka pasur konteste pronësore dhe kështu kostoja është me ulët.

“Fakte tjera të cilat kanë qenë të arsyeshme dhe bindëse që të përcaktohemi për atë lokacionin janë edhe afërsia me Aeroporti Ndërkombëtar “Adem Jashari” dhe qasja në autostradën ‘Ibrahim Rugova’.  Në vendimmarrje jemi bazuar edhe tek qëndrimi i trajtimit të barabartë për të gjitha skajet e territorit të Kosovës që stadiumi të ndërtohet në qendër të Republikës së Kosovës”, vazhdon komunikata e ministrisë.

Krejt në fund të komunikatës, Ministria vlerëson se ndryshimi eventual i lokacionit do të rriste koston e stadiumit dhe se ka një tendencë që ky projekt të ngecë.

Kjo është komunikata e plotë e MKRS-së:

Sqarim për stadiumin kombëtar

Pas deklarimeve të fundit, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit e sheh të nevojshme që të sqarojë për opinion vendimin për ndërtimin e Stadiumit kombëtar.

MKRS-ja fillimisht ka planifikuar që Stadiumin Kombëtar të Kosovës ta ndërtojë në Prishtinë. Kemi analizuar hapësirën në fshatin Bërrnicë, e cila ka rezultuar me konteste pronësore, ka pasur hapësira që është dashur të shpronësohen dhe kjo e ka rritur koston e tërësishme të projektit, për më keq, ish-qeveria Mustafa nuk kishte zhvilluar asnjë procedurë për ndërtimin e stadiumit në Bërrnicë.

Ndërkaq, lokacioni i tanishëm, për të cilin është marrë vendim që të ndërtohet stadiumi, ka qenë më i favorshmi  për arsye të shumta. Dallimi në kilometra nga Prishtina në Korreticë ose Bërrnicë është vetëm 5 km. Gatishmëria dhe bashkëpunimi i Komunës së Drenasit për ta ofruar një hapësirë të këtillë, ku tashmë prona ka kaluar të gjitha procedurat e duhura, duke qenë e dedikuar për stadium. Hapësira e tanishme, konkretisht ngastrat e kadastrave të ndara për stadiumin kombëtar, kanë qenë pronë e cila nuk ka pasur nevojë për shpronësim dhe kështu e ka ulur ndjeshëm koston e projektit.

akte tjera të cilat kanë qenë të arsyeshme dhe bindëse që të përcaktohemi për atë lokacionin janë edhe afërsia me Aeroporti Ndërkombëtar “Adem Jashari” dhe qasja në autostradën ‘Ibrahim Rugova’.  Në vendimmarrje jemi bazuar edhe tek qëndrimi i trajtimit të barabartë për të gjitha skajet e territorit të Kosovës që stadiumi të ndërtohet në qendër të Republikës së Kosovës.

MKRS–ja ka ndërmarrë hapat e nevojshëm që të konkretizohet projekti në fjalë. Kemi shpallur thirrje ndërkombëtare për dizajnimin e projektit të Stadiumit Kombëtar dhe ne tashmë kemi prezantuar projektin ideor të tij. Ky projekt ka kushtuar mbi 1 milion euro.

Dëshirojmë t’ua bëjmë me dije qytetarëve të Republikës së Kosovës, sidomos atyre që pa asnjë analizë flasin për ndërrim të lokacionit, se MKRS-ja tashmë ka përfunduar të gjitha procedurat, ka marrë vendim në qeveri për ndërtimin e stadiumit, ka bërë fizibilitetin e lokacionit, ka bërë shpimet e tokës dhe ka finalizuar projektin për Stadiumi Kombëtar të Kosovës.

Si MKRS vlerësojmë se ndryshimi eventual i lokacionit do të rriste koston e stadiumit, do të komplikonte situatën edhe më tej dhe është një tendencë e qartë për ngecjen e këtij projekti, për më shumë, janë lajme dëshpëruese për qytetarët e Republikës së Kosovës në një kohë kur vendit tonë i duhet më së shumti ky projekt i cili është i gatshëm për të filluar.