Dokumentet e vjetra që ruhen në Agjencinë e Arkivave të Kosovës

Vakëfnameja e Mehmed Pashë Kaçanikut e vitit 1608 është dokumenti më i vjetër që ruhet në arkivin e Agjencinë Shtetërore të Arkivave të Kosovës në Prishtinë.

Vakëfnameja është në gjuhën osmane e shkruar me shkrim arab.

 

Më i vjetër se Vakëfnameja, që ruhet në arkiv është një fjalor persisht-arabisht në dorëshkrim, i viti 1437.

Vakëfnameja dhe fjalori në dorëshkrim janë pjesë e koleksionit osman të dokumenteve dhe dorëshkrimeve që ruhet ASHAK.

Ky fond ofron informacione për situatën socio-ekonomike e kulturore në Kosovë gjatë sundimit osman.

Kryeshefi ekzekutiv i ASHAK-ut, Bedri Zyberaj thotë se Agjencia administron mbi 8 kilometra gjatësi lineare materiale arkivore. Në mesin e tyre edhe fondin osman.

Zyberaj thotë dokumente e dorëshkrime osmane që ruhen në arkiv kanë moshë qindra vjeçare.

“Dokumenti më të vjetër që e kemi, që ruhet tek ne është Vakëfnameja e Mehmed Pashë Kaçanikut. Është një dokument i vitit 1608. Ndërsa më të vjetër se ky dokument kemi dorëshkrime, e dorëshkrimi më i vjetër është një fjalor persisht- arabisht i viti 1437”, thotë Zyberaj.

Osmanologja Hatixhe Ahmedi, punëtore në këtë arkiv, thotë se me Vakëfnamenë e Mehmed Pashë Kaçanikut fillon kronologjia e dokumenteve jo vetëm në ASHAK, por në gjithë vendin.

Studiuesja Ahemdi thotë se Vakëfmaneja përmbledhë vakëfet apo bamirësitë e pashait shqiptar, të cilat i ka lënë gjithandej në Kosovës, që nga Kaçaniku deri në Dibër e Ohër.

“Ky dokument është i shkruar me një lloj shkrimi i cili është i përhapur mjaft në paleografinë osmane, me shkrim nes në letër cilësore, ngjyra e lapsit është e zezë, por vende -vende hasim edhe zbukurime me ngjyrë të kuqe e diku – diku ka ngjyrën e verdhë. Kopertinat e këtij dokumenti, sepse është në formën e librit, janë nga lëkura cilësore, me zbukurim që zbukuroheshin librat e asaj kohe”, tregon Ahmedi.

Një dokument tjerë i rëndësishëm, që ruhet në arkiv, sipas saj është ai i viti 1786. Ky dokument është i lëshuar për një zonjë, Fatimen, bijën e Sylejmanit në Prishtinë, për ndarjen e pasurisë.

“Është dokument i vjetër, këtu poshtë është vula e dokumentit, por edhe llogaritjet të cilat janë bërë për ndarjen e pasurisë”, tregon ajo.

Ajo thotë se në arkiv ruhen edhe shtatë berate-dokumente nderuese për personalitete të kohës.

ASHAK synon digjitalizimin e dokumenteve të vjetra që i ruan. Kryeshefi Zyberaj thotë se me digjitalizimin e tyre do të shmanget kontakti fizik dhe sigurohet edhe jetëgjatësia e tyre