Kërcënohen me jetë pjesëtarë të KFOR-it në Prizren, Policia arreston një të dyshuar

Gjersa ishin për vizitë në fshatin Lubiqevë të Prizrenit, disa pjesëtarë të KFOR-it italian janë kërcënuar me jetë nga dy persona.

Lajmin për KALLXO.com e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Shaqir Bytyqi.

Bytyqi thotë se patrulla policore ka dalë në vendin e ngjarjes dhe ka kontaktuar me karabinierët.

Ata kanë deklaruar se derisa ishin duke qëndruar në një lokal në fshat, dy të dyshuarit fillimisht u janë afruar duke i ofenduar e më pas njëri nga ta i ka kanosur me vrasje.

“Patrulla policore ka dalë në vendin e ngjarjes dhe ka kontaktuar me karabinierët  të cilët kanë deklaruar se për deri sa ishin duke qëndruar në një lokal aty në fshat, të dyshuarit afrohen fillimisht duke i ofenduar e me pas njëri nga të dyshuarit i ka kanosur me vrasje, duke ju thënë se “do shkoj në shtëpi të marr Kallashnikovin dhe do ju vras të gjithëve””- ka thënë Bytyqi për KALLXO.com.

Zëdhënësi i Policisë thotë se të dyshuarit më pas janë larguar me veturë në drejtim të Prizrenit.

Njëri nga të dyshuari është arrestuar nga Policia, ndërsa i dyshuari i dytë është identifikuar dhe është në kërkim.