Këmbësori që u godit nga vetura është familjar i deputetit të Kuvendit të Kosovës

Në orët e para të ditës së sotme, një person është goditur nga një veturë në Prizren gjatë kohës sa po kalonte rrugën në pjesën e dedikuar për këmbësorë.

Pamje të kamerave të sigurisë nga ky rast janë publikuar nga Enis Kervan, deputet i Kuvendit të Kosovës nga radhët e Partisë Demokratike Turke të Kosovës.

Lidhur me rastin, KALLXO.com ka kontaktuar me Kervan, i cili ka thënë se personi që është goditur nga vetura është familjar i tij e se ai është ende në trajtim mjekësor.

Po ashtu, edhe zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Prizrenit, Shaqir Bytyqi, ka dhënë detaje për rastin.

Bytyqi ka treguar se si pasojë e këtij aksidenti lëndime të rënda ka marrë këmbësori 21-vjeçar, i cili është dërguar në Qendrën Klinike Universitare në Kosovë për trajtim.

Po ashtu zëdhënësi njoftoi se lidhur me rastin është njoftuar prokurori kujdestar, i cili ka dhënë urdhër që vozitësi i automjetit, po ashtu 21-vjeçar, nga Prizreni, të dërgohet në ndalim policor për 48 orë.

Bytyqi ka thënë se ngjarja ka ndodhur rreth orës 00:30 në rrugën “Zahir Pajaziti” në Prizren.