Tritoli i sekuestruar Foto: Policia e Shtetit

Kapet 19-vjeçari në Durrës me tritol, e kishte gati për shitje

Një 19-vjeçar është vënë në pranga nga Policia e Durrësit, në kuadër të operacionit policor të koduar “Kulla”.

Roland Kurteshi është kapur në aksin Rrugor Sukth – Kullë, duke transportuar me qëllim shitjen, 4 kallëpë lëndë eksplozive tritol, me peshë rreth 1 kilogram.

Sipas Policisë së Shtetit në Shqipëri, mbi Kurteshin rëndon vepra penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.

“Ky shtetas u kap në aksin rrugor Sukth – Kullë, duke transportuar me qëllim shitjen, 4 kallëpë lëndë eksplozive tritol, me peshë të përgjithshme rreth 1 kilogram.
Vijon puna, në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Durrës, për zbardhjen e plotë të këtij rasti, si dhe të implikimit ose jo në ngjarje kriminale, të 19-vjeçarit”, thuhet në njoftim policor./Euronews