Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Kandidati i LVV-së: Do t’i rrethojmë pishat e Sllatinës dhe do të ndërtojmë amfiteatër

Kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje për kryetar të Fushë Kosovës, Enver Bajçinca ka thënë se do të investojnë në parkun e Sllatinës, i njohur si Parku i Pishave, në rast se merr mandatin si kryetar.

“Parku i Pishave në Sllatinë është duke e humbur funksionin e vet që e ka të prodhojë oksigjen të pastër. Ne do të kujdesemi që të rrethojmë pishat e Sllatinës, nuk do të lejojmë veturat të hyjnë brenda, ne do ta krijojmë nja atraksion të bukur aty, do ta krijojmë një amfiteatër siç e kanë qytetet evropiane në parqe, ku rinia do të argëtohet”, tha ai.

Kandidatët e partive politike, të cilët synojnë të marrin udhëheqjen e Fushë Kosovës diskutojnë në #DebatPernime për planet e tyre pas zgjedhjeve të 17 tetorit.

Të ftuar në DebatPernime janë kandidatët për kryetar të komunës së Fushë Kosovës: Burim Berisha nga LDK; Enver Bajçinca nga LVV; Hasan Ismajli nga AAK dhe Rrahim Tërnava nga PDK.

Përballë kandidatëve për kryetar të komunës do të jenë edhe kandidatet për asambliste në Kuvendin Komunal të Fushë Kosovës: Aida Alimi nga PDK; Vildane Latifi nga AAK; Vjollca Breznica nga LVV dhe Vjollca Konjusha nga LDK.

Debati transmetohet në orën 20:30 në RTV Dukagjini dhe drejtpërdrejt në Facebook të KALLXO.com.