Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Kandidatët për kryetar të Likovës tregojnë qasjen e tyre për zgjidhjen e problemit të transportit publik

Kandidatët për kryetar të Komunës së Likovës në Debat Pernime kanë folur edhe për problemet e transportit publik në këtë komunë.

Kandidati i koalicionit Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa për kryetar të Komunës së Likovës, Arsim Idrizi në Debat Pernime ka deklaruar se brenda katër viteve çdo fshat do ta lidhë me qytetin e Kumanovës nëpërmjet transportit publik.

“Në mënyrë të paligjshme ende funksionojnë taksistët ilegal në Komunën tonë dhe për shkak se nuk kemi menaxhuar me këtë Komunë nuk kemi pasur mundësi ta parandalojmë këtë dukuri”, shtoi Idrizi.

Nga ana tjetër, kandidati i BDI-së për kryetar të Likovës, Erkan Arifi tha se rregullimi i transportit publik në Likovë është në përgjegjësi të nivelit qendror, ndonëse thotë se komuna tashmë ka nisur procedurat.

“Por Ministria e Transportit dhe Lidhjeve është kompetente për këtë çështje që duhet të jep leje. Ne vetëm kemi filluar ta zgjidhin këtë punë por kjo nuk do të varet vetëm nga ne, por edhe nga Ministria e Transportit dhe Lidhjeve. Do të bëjmë ç’mos ta zgjidhim këtë çështje njëherë e përgjithmonë”, u shpreh Arifi.

Ndërsa kandidati për kryetar të Komunës së Likovës nga Lëvizja Besa, Luan Ramadani, në DebatPërnime u shpreh se përkushtimi i tij maksimal do të jetë krijimi e rrjeteve transportuese në Komunën e Likovës bashkë me qytetin e Kumanovës dhe anasjelltas.

“Bashkë me Ministrin e Transportit dhe Lidhjeve, do ta krijojmë një Ndërmarrje publiko-private, e cila do të pajiset me licencë që t’ju ofrojmë edhe personave që punojnë në mënyrë të paligjshme të bëhen pjesë e asaj ndërmarrje me të cilën do të kryejnë shërbimet e tyre por edhe do të jenë taksa pagues në atë ndërmarrje”, nënvizoi Ramadani.