Kampionati i çiklizmit, Policia njofton se cilat rrugë bllokohen përkohësisht nesër e pasnesër në Kosovë

Policia njofton se Federata e Çiklizmit e Kosovës (FÇK) organizon garën çiklistike Kampionati i Kosovës për vitin 2023.

Sipas njoftimit FÇK-ja ka planifikuar që këtë garë ta zhvillojë në autostradë  dhe për këtë ka kërkuar leje nga ministria përkatëse të cilën e ka siguruar.

Policia thotë se, më 15.07.2023, duke filluar nga ora 13:30, në segmentin Lipjan-Bibaj (autostrada ‘Arbën Xhaferi’) do të fillojë pjesa e parë e kësaj gare.

Ndërkaq, më 16.07.2023, itinerari i garës është më i gjatë (160 km), gara fillon në ora 10:30 me këtë itinerar të lëvizjes: Bibaj-Lipjan-Prishtinë – Fushë Kosovë (Bresje), pastaj rruga nacionale Fushë-Kosovë – Aeroport – Komoran – Malishevë dhe anasjelltas.

Policia njofton që gjatë kësaj kohe, më 15 dhe 16 korrik parashihet që të ketë bllokim të qarkullimit të automjeteve në autostradë (segmentet e lartcekura) dhe riorientim në rrugë tjera alternative.

Policia e Kosovës ka kërkuar mirëkuptim nga ana e qytetarëve dhe pjesëmarrësve në trafik rreth këtij bllokimi e riorientim të veturave në kohën sa do të jetë duke u zhvilluar gara e organizuar nga FÇK-ja.

PK rekomandon qytetarët të planifikojnë me kohë qarkullimin në rrugë alternative në mënyrë që të mos krijohen tollovi e kolona të panevojshme.