Kabineti qeveritar miraton programin për Zyrën për Çështje të Komuniteteve

Qeveria e Kosovës në mbledhjen e sotme ka miratuar programin për Zyrën për Çështje të Komuniteteve.

Ministri për Kthim dhe Komunitete, Nenad Rashiq, pati vërejtje për këtë program, ani pse votoi pro tij.

“Unë jam për program, por është shumë varfër i punuar” – deklaroi Rashiq gjatë mbledhjes.

Edhe zëvëndëskryeministrja për Komunitete, Emilia Raexhepi, u pajtua me deklaratën e Rashiqit.

“Zyra për Çështje të Komuniteteve është gjithçka por nuk është zyre për komunitete. Duke pasur parasysh kërkesat që i kemi nga OJQ jemi të frikësuar që të hymë në diçka të tillë”- tha ajo.

Në anën tjetër kryeministri Albin Kurti tha që ende ka punë për tu bërë.

“Edhe në atë zyre, zyrtarët tanë punojnë çfarë munden e dinë. Na duhet të shërojmë pak situatën me keqpërdorimet që janë bërë ne te kaluarën në atë zyre në mënyrë që të ecim tutje”- tha ai.

Gjithashtu, në këtë mbledhje Qeveria ka marrë vendim për themelimin e Komisionit ad-hoc për shqyrtimin e ankesave në proesin e rekrutimit për Komisionin e Autoritetit të Konkurrencës.

Anëtarët e këtij komisioni janë Agron Gashi kryesues; Fahrije Qorraj anëtare dhe Shkurta Krasniqi anëtare. Komisioni, sipas kryeministrit, ka obligim që të shqyrtojë të gjitha ankesat e pranuara.