Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq - Foto: REL

Vuçiq: Fillon vaksinimi në veri të Kosovës

Presidenti i Serbisë, Aleksadar Vuçiq deklaroi se në veri të Kosovës ka filluar vaksinimi kundër coronavirusit, me vaksinën e kompanive Pfzer/BioNTech, e cila para disa ditëve ka arritur në Serbi.

“Vaksinimi ka filluar në Leposaviq. Sot do të arrijë edhe në Mitrovicë. Kjo vaksinë është për personat mbi moshën 75-vjeçare. T’i ruajmë së pari ata, e më pas edhe të tjerët”, ka deklaruar Vuçiq të premten në aeroportin ushtarak në Batajnicë.

Ai i ka bërë këto komente pas pranimit të pajisjeve mjekësore nga Emiratet e Bashkuara Arabe.

Sistemi shëndetësor në komunat me shumicë serbe në Kosovë funksionon brenda sistemit serb.

Presidenti serb, deklaroi gjithashtu se Serbia do të pranojë këto vaksina në baza javore dhe se pas personave të moshuar që jetojnë në shtëpi kujdesi, vaksinimi do të fillojë edhe për pjesëtarët e stafit shëndetësor.

Serbia ka nisur vaksinimin brenda territorit të vet një ditë më parë.

Kryeministrja serbe, Ana Bërnabiq ishte në mesin e personave të parë që janë vaksinuar më 24 dhjetor. Sipas Qeverisë serbe, një gjë e tillë është me qëllim të rritjes së besimit publik në sigurinë dhe efikasitetin e vaksinës.

Ndonëse Serbia nuk ka miratuar ende përdorimin e vaksinave, ky shtet pritet të përdorë edhe vaksinën e prodhuar nga Rusia kundër coronavirusit, Sputnik V dhe atë të Kinës, Sinopharm për të siguruar më shumë doza për popullatën me 7 milionë banorë.

Për dallim nga Serbia, autoritetet në Kosovë nuk e dinë ende se kur do të nisin këtë proces.

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Avdullah Hoti ka thënë të enjten se së bashku me Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK), kanë hartuar një plan të veprimit për vaksinimin kundër coronavirusit të ri, që do të nisë së zbatuari kur të arrijnë vaksinat, por nuk tregoi se kur do të ndodhë një gjë e tillë.

Kosova pret që të marrë vaksina kundër coronavirusit për 20 për qind të popullatës nga programi i Organizatës Botërore të Shëndetësisë, COVAX, program ky që ka për qëllim shpërndarjen e vaksinave për vendet e varfra.

Pjesën tjetër të vaksinave, Qeveria tashmë në detyrë e Kosovës, ka thënë se do t’i blejë vetë. Por, të pyetur ditë më parë nga Radio Evropa e Lirë, nëse Ministria e Shëndetësisë është duke negociuar me kompaninë amerikane Pfizer – vaksina e së cilës ka nisur të administrohet në vende të ndryshme të botës – ministri në detyrë i Shëndetësisë, Armend Zemaj ka thënë se këto informata janë konfideciale.

Përndryshe, vaksina e kompanive Pfizer/BioNTech është miratuar në Shtetet e Bashkuara, Britani, Kanada dhe Izrael.

Përdorimi i saj pritet të nisë edhe në Bashkimin Evropian më 27 dhjetor./REL