Ilustrim
14 raste me fruth në Kosovë, IKSHPK apelon për vaksinim të fëmijëve
Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKShPK) ka njoftuar se në periudhën 16 prill – 12 maj 2026, në Kosovë janë konfirmuar 14 raste të fruthit- të gjithë të pavaksinuar me vaksinën MMR (kundët fruthit, shytave dhe rubellës).
“Sipas komunave: numër më i lartë i rasteve raportohet nga komuna e Ferizajt 5 raste, Prishtinës 3 raste, Kaçanikut 3 raste dhe me nga një rast komunat: Lipjan, Fushë Kosovë dhe Gjilan. Kanë marrë trajtim spitalor, që dëshmon për potencialin serioz të komplikimeve të mundshme që mund të shkaktojë fruthi”, bënë të ditur IKShPK më 12.05.2026.
Marrë parasysh natyrën ngjitëse të fruthit dhe rrezikun për përhapje të mëtejshme, IKShPK u ka bërë thirrje urgjente prindërve që të kontrollojnë kartelën e vaksinimit të fëmijëve të tyre dhe t’i vaksinojnë fëmijët në qendrën më të afërt të Mjekësisë familjare në komunën përkatëse.
“Rekomandohet që të shmangen kontaktet e panevojshme me persona të dyshimtë në fruth që shfaqin simptoma, si temperaturë e lartë, skuqje, ndryshime në lëkurë, kollë apo rrufë. Çdo person me shenja të dyshimta në fruth, duhet të paraqitet menjëherë në institucionet shëndetësore”, shton më tej IKShPK.
IKShPK potencon se me institucionet shëndetësore janë duke bërë mbikëqyrjen aktive të situatës epidemiologjike dhe në gatishmëri të plotë për të menaxhuar situatën përmes ofrimit të shërbimeve të nevojshme për qytetarët.
“Paralelisht, po zbatohen masa konkrete në terren, përfshirë identifikimin e fëmijëve të pavaksinuar, kontaktimin aktiv të prindërve për t’i sjellë fëmijët për vaksinim, si dhe angazhimin e ekipeve mobile për vaksinimin me bazë në komunitet (derë më derë), në zonat me mbulueshmëri më të ulët të vaksinimit”.
IKShPK ka rikujtuar se vaksinimi mbetet mënyra më efektive dhe më e sigurt për parandalimin e fruthit dhe mbrojtjen e shëndetit publik.
“Çdo vonesë në vaksinim e rrit rrezikun për përhapje të mëtejshme dhe komplikime serioze, veçanërisht tek fëmijët dhe personat me imunitet të dobësuar”, ka shtuar IKSHPK.