Ka arritur në 2,222 numri i automjeteve të regjistruara me targa zyrtare RKS në veri të Kosovës

Qytetarët e veriut të vendit vazhdojnë të heqin dorë nga tabelat ilegale me akronime në serbisht të qyteteve të Kosovës dhe t’i regjistrojnë ato me targa të Republikës së Kosovës.

Zëvendësdrejtori i Policisë për Rajonin Mitrovicë-Veriut, Veton Elshani, ka thënë për KALLXO.com se numri i automjeteve të regjistruara me targa zyrtare RKS në veri të Kosovës ka arritur në 2,222.

Ai tha se pret që deri në afatin e përcaktuar nga Qeveria me targat zyrtare të regjistrohen të gjitha automjetet e qytetarëve në veri të vendit.

“Që nga 1 nëntori deri më sot ne i kemi të regjistruara 2,222 automjete nga ato ilegale. Konsiderojmë që deri më 30 nëntor, afati i vendosur nga Qeveria është i mjaftueshëm që të regjistrohen të gjitha ato mjete motorike që mund të regjistrohen. Ato që janë sipas vendimit të Qeverisë”- ka thënë Elshani.

Ndryshe, në fillim të muajit nëntor, Ministria e Punëve të Brendshme (MPB) pati njoftuar se të gjithë personat që kanë automjete me targa ilegale do të kenë mundësinë të përfitojnë nga lehtësirat për regjistrim në targa RKS deri më 1 dhjetor 2023.

Sipas njoftimit, kjo për shkak të vendimit të Qeverisë së Kosovës për lejimin e regjistrimit të veturave nga targat ilegale “PR”, “KM”, “PZ”, “GL”, “UR”, “PE”, “DA” apo “ĐA”.

https://kallxo.com/lajm/konvertimi-i-targave-ne-veri-arrin-ne-mbi-2-mije-regjistrimi-i-automjeteve-me-rks/

https://kallxo.com/lajm/fluks-i-shtuar-i-qytetareve-per-konvertimin-e-targave-per-tri-dite-414-vetura-ne-veri-regjistrohen-me-rks/

www.kallxo.com