Fluks i shtuar i qytetarëve për konvertimin e targave, për tri ditë 414 vetura në veri regjistrohen me “RKS”

Ministria e Punëve të Brendshme në fillim të javës ka bërë të ditur se të gjithë personat që kanë automjete me targa ilegale do të kenë mundësi të përfitojnë nga lehtësirat për regjistrim në targa RKS, deri më datë 1 dhjetor 2023.

Telegrafi mëson se nga e mërkura, më 1 nëntor deri në mbrëmjen e 3 nëntorit, 414 vetura në veri janë regjistruar me targa “RKS”.

Ministria e Punëve të Brendshme më 3 nëntor ka njoftuar se është shtuar fluksi i qytetarëve të cilët po i konvertojnë targat në RKS.

Sipas njoftimit, kjo për shkak të vendimit të Qeverisë së Kosovës për lejimin e regjistrimit të veturave nga targat ilegale “PR”, “KM”, “PZ”, “GL”, “UR”, “PE”, “DA” apo “ĐA” në targa RKS nga data 1 nëntor 2023 deri më 1 dhjetor 2023.

Për këtë qëllim, për shkak të kërkesave të shumta të qytetarëve, MPB-ja ka njoftuar se që të shtunën do të punojnë Qendrat për Regjistrim të Automjeteve në katër komunat veriore.

“Ministria e Punëve të Brendshme fton të gjithë qytetarët e komunitetit serb që të shfrytëzojnë mundësinë e regjistrimit të veturave me targa RKS, duke shfrytëzuar edhe lehtësirat financiare sipas vendimit të Qeverisë”, thuhet në komunikatën për media.

Ndryshe, Ministria e Punëve të Brendshme ka njoftuar të gjitha personat që kanë automjete targa ilegale do të kenë mundësi të përfitojnë nga lehtësirat për regjistrim në targa RKS, deri më datë 1 dhjetor 2023.

Kjo përfshinë taksat doganore, taksën administrative në Qendrën e Regjistrimit të Automjeteve, tarifën për targa dhe tarifën për pajisje me certifikatë të regjistrimit të Automjetit. /Telegrafi