Ilustrim

Skandali i përgjimeve: Prokuroria Speciale ka në dorë audio-incizimet

Të premten e javës së kaluar Prokuroria Speciale ka urdhëruar Policinë e Kosovës, me saktësisht Njësinë e hetimeve të veçanta, që të marrë materialin e audio-incizimeve të siguruara nga media online “Shqip.com”.

KALLXO.com mëson se këto materiale janë dorëzuar nga drejtuesit e “Shqip.com” brutto, pra pa ndërhyrje në to.

Në lidhje me këtë çështje KALLXO.com ka kontaktuar edhe me kryeredaktorin e portalit “Shqip.com”, Lirim Mehmetaj.

“Po, kanëe ardhur të nesërmen në mesditë, pas deklarimit që pati kryeprokurori live në TV dhe i kanë marrë audio-incizimet brutto të atyre që i kemi publikuar deri tani. Nuk jemi ftuar për ndonjë intervistë”, tha Mehmetaj për KALLXO.com.

Kujtojmë se Kryeprokurori i Shtetit Aleksandër Lumezi në një debat në RTV Dukagjini paralajmëroi se do të marrin audio-incizimet.

Një ditë para se të merreshin audio-incizimet, Prokuroria Speciale kishte marrë kërkesë nga Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi, që të hetojë audio- incizimet të cilat janë publikuar nga “Shqip.com” e të cilat pretendohen se janë përgjime të vitit të kaluar.

Në lidhje me këtë çështje ka folur vetë Kryeprokurori Lumezi.

“Sa për informim, një hetim e ka nisur Prokuroria Themelore e Prishtinës për audio- incizimet e paautorizuara por sot kam kërku nga kryeprokurori që lënda të transferohet në Prokurorinë Speciale dhe të shqyrtohet nga një ekip e prokurorëve neutralë që janë profesionalë dhe në mënyrë të pavarur të hetojnë këto video-inicizime dhe të vijnë në përfundim nëse ka vepër penale të ushtrimit të ndikimit nëse dikush ka pranu ndonjë dhuratë apo ndonjë përfitim tjetër nga kryeprokurori deri te prokurori i fundit do të fillojnë hetimet penale ndaj tij”, tha Lumezi.

KALLXO.com ka raportuar në vazhdimësi për pretendimet se figura të larta të institucioneve në Kosovë por edhe gazetar po pretendohen se janë pjesë e disa audio-incizimeve ku flitet për ushtrim ndikimi, blerje mediash, e lajme të porositura.

Më poshtë mund të lexoni përmbledhjen e zhvillimeve të javës se kaluar pas publikimit të audio-incizimeve.

Audio-inicizimet që shpërfaqën brishtësinë e shtetit

www.kallxo.com