Jep dorëheqje një gjyqtar i Gjykatës Speciale

Gjyqtari i Gjykatës Speciale, Mihael Bolander, ka dhënë dorëheqje.

I njëjti ka dorëzuar letrën e dorëheqjes te kryetarja Ekaterina Trendafilova.

Në njoftim e publikuar nga Dhomat e Specializuara thuhet se Bolander ka dhënë dorëheqje për arsye personale.

Mihael Bolander ka punuar nga viti 2015 deri më 2019 si gjykatës hetimor ndërkombëtar në Dhomat e Jashtëzakonshme në Gjykatat e Kamboxhias; Ai u ricaktua nga Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, më 22 Prill 2020.

Që nga viti 2004, ai ka punuar si profesor i të drejtës krahasuese dhe të drejtës penale ndërkombëtare në Universitetin e Durhamit.

Gjatë periudhës 2010-2014, gjykatësi Bolander punoi si profesor i jashtëm i të drejtës penale në Universitetin e Groningenit (Holandë), dhe më 2012 dha mësim në Universitetin Al-Azhar (Egjipt), si akademik i jashtëm.

Ndërsa që prej vitit 2001, ai është angazhuar në trajnimin gjyqësor, ndër të tjerë, të gjykatësve të Tribunalit të Lartë të Irakut dhe në këshillimin e qeverive.

Gjatë periudhës 1991-2004, Bolander ishte gjykatës për çështje penale dhe civile në Thüringen në Gjermani.

Më 1996, ai ishte jurist i jashtëm në një gjykatë të shkallës së parë dhe për hetime paraprake në Spanjë. Gjatë periudhës 1999- 2001, punoi si jurist i lartë në një nga Dhomat Gjyqësore të Tribunalit Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë.

Bolander është diplomuar dhe doktoruar si jurist nga Universiteti i Zarlandit (Saarland) në Gjermani. Ai ka botuar gjerësisht në fushën e të drejtës ndërkombëtare dhe krahasuese penale.