Ismajli: Ka rënie të të infektuarve me COVID-19 në Gjilan

Komiteti i emergjencave për parandalimin e virusit COVID-19 në Komunën e Gjilanit sot ka konstatuar se ka rënie të numrit të të infektuarve në këtë komunë.

Sipas një njoftimi për media, nga 46 mostra të testuara vetëm tri raste kanë rezultuar pozitive dhe katër pacientë janë shëruar plotësisht gjatë 24 orëve të fundit.

Nënkryetari i kësaj komune, Arbër Ismajli ka thënë se nga mostrat e testuara në 10 ditëshin e fundit ka pak raste pozitive dhe numër më të madh të të shëruarve që sipas tij, është gjendje shpresuese.

“Kjo nuk do të thotë që ne duhet të jemi të qetë, por edhe më tutje në bashkëpunim me të gjitha institucionet në nivelin lokal dhe atë regjional, do të vazhdojmë respektimin e masave mbrojtëse, falë edhe përkrahjes që kemi nga sektori privat i biznesit dhe kultura e lartë qytetare në respektimin e rekomandimeve të shtetit”, ka thënë, nënkryetari Ismajli.

Tutje është thënë se një lajm i mirë është edhe gatishmëria maksimale e stafit mjekësor për të përcjellë në aspektin shëndetësor nxënësit dhe mësimdhënësit, në mënyrë që procesi mësimor të vazhdoj në bazë të planifikimit deri në stabilizimin e plotë të gjendjes me virusin.

“Mjekët në dy nivelet e organizimit të shëndetësisë, emergjencat civile, Policia e Kosovës, Zjarrëfikësit dhe të gjitha institucionet publike, janë të angazhuar maksimalisht në mbështetjen e mbarvajtjes së procesit të mësimit nëpër shkollat e Gjilanit”, ka thënë mes tjerash nënkryetari në fjalën e tij.

Në bazë të statistikave që ka bërë publike Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik të Kosovës, konfirmohet se Komuna e Gjilanit në përballjen me Covid-19, nga data 13 mars e deri më sot, ka gjithsej 933 raste pozitive, prej tyre të shëruar plotësisht janë 777 pacient, 41 kanë vdekur, ndërsa raste aktive janë 116 pacient, prej tyre 27 të hospitalizuar dhe me gjendje shëndetësore stabile.