ISHPK kërkon nga qytetarët të mbajnë distancën fizike dhe maskat

Instituti i Shëndetit Publik të Kosovës (IKSHPK) iu ka bërë thirrje qytetarëve që të vazhdojnë të respektojnë masat e distancimit fizik dhe mbajtjen e maskave, edhe pas fillimit të fazës së parë të lehtësimit të masave kufizuese kundër COVID 19.

Përmes një komunikate ISHPK kërkon nga qytetarët që kenë kujdes, sepse ende sipas Institutit ekziston rrezik i përhapjes së koronavirusit, në vendet ku ka grumbullim të madh të njerëzve.

“Sot vërehet fluks i shtuar i qytetarëve kudo nëpër Kosovë. Kjo është sjellje e rrezikshme dhe lehtësimi i lëvizjes nuk nënkupton mosrespektimin e rekomandime të Institutit Kombëtar dhe Ministrisë së Shëndetësisë me mbajtjen e distancës fizike dhe mbajtjen e maskave në vendet publike”, thuhet në njoftimin e ISHPK-së.

Në Kosovë të hënën ka nisur faza e parë e lehtësimit të masave të izolimit kundër COVID-19, me hapjen e disa bizneseve dhe po ashtu zgjatjen e orarit të lëvizjes së qytetarëve në 3 orë.

Sipas të dhënave të Institutit të Shëndetit Publik në Kosovë nga data 8 shkurt deri më më 03 maj 2020, janë testuar gjithsej 8.287 mostra të dyshimta me koronavirusin e ri dhe prej tyre pozitive rezultojnë 851 raste, me gjithsej 25 raste të vdekjes dhe 381 raste të shëruara./REL