Rozi Ukaj, Foto REL

Mbretëresha e bletëve: Lufta e 11-vjeçares nga Prishtina për ta mbrojtur Tokën

Përgjatë 89 kilometrave që ndajnë Prishtinën nga Krusha e Madhe, Rozi Ukajt i rrinte në mendje një fjali e shkencëtarit Albert Einstein.

“Nëse bleta do të zhdukej nga faqja e tokës, njeriut do t’i mbeteshin vetëm katër vjet jetë”, ishte fjalia në të cilën 11-vjeçarja kishte hasur, teksa lundronte në një aplikacion edukues të shkollës që ajo ndjek.

Që atëherë, jeta e prishtinases është pushtuar nga këto insekte verdhëzeza. Atë e udhëzon vetëm një qëllim: ta parandalojë testimin e këtij parashikimi duke luftuar për lulëzimin e bletëve në Tokë.

Vitin e kaluar, në Ditën Ndërkombëtare të Bletëve, më 22 maj, Rozi dhe familja e saj bënë udhëtimin drejt Krushës së Madhe – pjesa perëndimore e Kosovës – ku vizituan bletarinë “Korr e Ha n’Katun”.

E veshur në të bardhë si një bletare, Rozi ishte e vetmja nga e gjithë familja që nuk frikësohej të afrohej te kosheret e bletëve dhe të mbante në duar një kornizë druri të mbushur me dyll, mjaltë e bletë punëtore.

“Berati dhe Iliri [pronarët e biznesit] më mësuan se cilat pajisje duhet t’i ketë një bletërritës, si funksionojnë ato… Pastaj e përjetova edhe krijimin e një koshereje të re. Ishte një vend shumë i bukur, thjesht magjik”, thotë Rozi për Radion Evropa e Lirë.

Pas përvojës së saj në Krushë të Madhe, Rozi nuk reshti së hulumtuari për gjendjen e bletëve në Kosovë dhe botë. Në një librari pranë banesës së saj, ajo bleu çdo libër që gjeti për bletët.

Darkat e familjes Ukaj dominoheshin nga diskutime lidhur me rëndësinë e bletëve për jetën në Tokë edhe kur ata kishin mysafirë. Vaktet shërbeheshin edhe me fakte të ndryshme për bletët.

  • Për të prodhuar një kilogram mjaltë, një bletë duhet të vizitojë katër milionë lule.
  • Aristoteli, filozofi i njohur grek, ka shkruar se ilirët ishin bletarë të shkëlqyer.
  • Numri i koshereve të bletëve në Kosovë, në vitin 2022, ishte 196.122.

Nëna e Rozit, Merita, dhe babai i saj, Arianiti, qeshin teksa kujtojnë se si mysafirët ishin ankuar se në atë shtëpi nuk flitej për asgjë tjetër veç bletëve dhe rëndësisë së tyre.

Megjithatë, jo të gjitha informacionet që Rozi ka marrë për bletët, i kanë dhënë asaj arsye për të buzëqeshur.

“Sa më shumë që hulumtoja, e kuptoja më mirë rolin e rëndësishëm të bletëve. Po ashtu, kuptoja që bletët ishin në rrezik kudo në botë. Kjo, për shkak të ndryshimeve klimatike, përdorimit të pesticideve në bujqësi, ndërtimit të shpejtë dhe prishjes së habitateve të tyre”, tregon Rozi.

Edhe në Kosovë, këto fenomene kanë dëmtuar bletët. Vitin e kaluar, bletarët u ankuan se shkaku i motit me shi dhe temperaturave të ulëta në pranverën e vonshme dhe verën e hershme, ata janë detyruar të shpenzojnë para shtesë për t’i mbajtur gjallë kosheret me bletë.

Megjithatë, bletët e mjaltit – të cilat mbahen nëpër koshere në bletari – nuk janë specie në rrezik për zhdukje. Janë shumë lloje të bletëve të egra, të preferuarat e Rozit, ato që janë në rrezik për zhdukje nëpër botë.

Të gjitha llojet e bletëve polinizojnë bimët, por edhe bletët e egra që nuk prodhojnë mjaltë, janë kyçe për mbijetesën e zinxhirit ushqimor, pasi që një e treta e prodhimit të ushqimit në botë varet nga to, sipas të dhënave të Organizatës për Ushqim dhe Bujqësi (FAO) të Kombeve të Bashkuara.

Zvogëlimi i hapësirave të gjelbra, shkaku i ndërtimeve urbane, bën që ambienti i jetesës të jetë më pak i përshtatshëm për bletët. Në Kosovë, shndërrimi i tokave bujqësore në toka për qëllime ndërtimore apo industriale cilësohet nga ekspertë të bujqësisë si dukuri shqetësuese.

Nga pranvera, Rozi do t’i nisë përpjekjet kundër këtij fenomeni.

Familja e saj ka vendosur të investojë në disa koshere të bletëve në Krushë të Madhe, ndërsa në të ardhmen planifikon të investojë edhe në hapësira të tjera nëpër Kosovë.

Por, aktivizmin për bletët, 11-vjeçarja po e bën edhe duke përkrahur punën e bletarëve që njeh, të cilët janë ankuar se nuk marrin mjaftueshëm ndihmë nga shteti.

Në një takim të javës së kaluar me ambasadorin e Britanisë së Madhe në Kosovë, Nicholas Abbott, Rozi ia dha atij një kavanoz me mjaltë të prodhuar nga bletarët e “Korr e Ha n’Katun”.

“Ambasadori më premtoi se do t’ia dërgojë atë kavanoz Mbretit të Anglisë”, thotë Rozi duke buzëqeshur.

Me buzëqeshje në fytyrë dhe informacionet për bletë në maje të gjuhës, Rozi shpreson të sjellë ndryshim në Kosovë.

Natyra dhe shkenca, parajsa e Rozit

Edhe pse vetëm 11 vjeçe, Rozi tashmë e ka të qartë ëndrrën për të ardhmen: të bëhet arkitekte.

“Por, do të jem gjithmonë një aktiviste e bletëve”, thotë Rozi, e cila e ka pasion edhe pianon dhe ndjek klasën e pestë në shkollën e muzikës.

Ajo planifikon t’i bashkojë pasionet e saj, duke projektuar ndërtime, të cilat janë të përshtatshme edhe për bletët.

Me shumë gjelbërim e lule, zona për pirje të ujit, 11-vjeçarja ëndërron ta ndërtojë një ambient, ku njerëzit dhe bletët mund të bashkëjetojnë në mënyrë efikase.

Edhe në këtë, flokëverdha nga Prishtina u ngjason bletëve.

“Gjetja e bletëve se gjashtëkëndëshi është forma më ekonomike për ruajtjen e mjaltit, tregon se ato janë arkitekte e matematiciente. [Natyralisti] Charles Darwin kishte thënë se hualli i mjaltit është një kryevepër e inxhinierisë”, thotë ajo.

Kurioziteti i Rozit nuk u mjaftua me kaq. Ajo dëshironte të dinte saktësisht se pse forma gjashtëkëndëshe e zgavrave të dyllit që bletët ndërtojnë, vlerësohej aq shumë.

Ajo e bëri këtë përmes një eksperimenti. Gjithçka nisi me ndërtimin e një trekëndëshi, katrori dhe gjashtëkëndëshi prej plastike, që kishin të njëjtat përmasa.

Aty Rozi vërejti se për sasinë më të vogël të materialit që bletët përdorin – dyll – gjashtëkëndëshi mban më së shumti peshë, që përkthehet në kilogramë mjaltë.

Ky dhe shumë hulumtime të tjera që Rozi i ka bërë, janë pjesë e një projekti të cilin ua ka prezantuar moshatarëve të saj në shkollat që ndjek – American School of Kosovo dhe Bonevet.

“Mendoj se fëmijët ende nuk e kanë kuptuar se sa të rëndësishme janë bletët. I kam bërë shkollës një propozim që të bëjmë diçka të veçantë dhe besoj se do ta shihni në pranverë”, thotë Rozi.

Plani i saj është t’i sjellë disa koshere të bletëve në oborrin e shkollës, në atë mënyrë që edhe nxënësit e tjerë të vetëdijesohen për rëndësinë e bletëve.

“Duhet ta rikujtojmë në vazhdimësi se bletët janë në rrezik kudo në botë”, shprehet Rozi.

Për t’i ndihmuar asaj në realizimin e misionit për bletët, 11-vjeçarja ka një porosi për të rriturit: të mbjellin sa më shumë bimë.

“Të mbjellin në ballkone apo kudo në natyrë. Thjesht, mbjell, sa më shumë, kudo”, thotë ajo.

Por, Rozi shpreson se edhe fëmijët e tjerë do t’i bashkohen misionit të saj. Hapi i parë është që ata të mos u frikësohen thumbave të bletëve.

“Mbaj mend dy raste kur më kanë thumbuar bletët. Nuk ishte ndjenjë e mirë. Por, po ta kisha ditur rëndësinë e tyre që atëherë, nuk do të mërzitesha fare”, përfundon Rozi./ REL