Ish-polici i Serbisë i akuzuar për krime lufte në Kamenicë, nuk e pranon fajësinë

Zllatan Arsiq, i akuzuar për krime lufte ka dalë sot para Gjykatës së Prishtinës për t’u përballur me akuzat e ngritura nga Prokuroria Speciale.

Arsiq akuzohet se si pjesëtar i policisë serbe në vitin 1999 ka kryer krime lufte kundër civilëve shqiptarë në zonën e Kamenicës.

Gjyqtarët Valbona Musliu – Selimaj– kryetare, Musa Konxheli dhe Mentor Bajraktari – anëtarë, përbëjnë trupin gjykues në këtë rast.

Shqyrtimi gjyqësor ka vazhduar me leximin e aktakuzës dhe fjalën hyrëse të palëve duke filluar nga prokurori special i rastit, Atdhe Dema.

Prokurori Dema në fjalën hyrëse deklaroi ndaj gjykatës se ‘’Do të bindeni nga deklaratat e dëshmitarëve dhe provat e tjera se i akuzuari Arsiq e ka kryer veprën penale që i vihet në barrë’’.

Ndërsa avokati mbrojtës i të pandehurit Arsiq, Vasilije Arsiq tha se sipas statusit ligjor të aktakuzës, e njëjta nuk e vërteton që Zllatan Arsiq ka kryer veprat penale që i ngarkohen në bashkëkryerje.

Tutje, avokati mbrojtës i Arsiq tha që nuk e kontestojnë që ngjarja në Kamenicë ka ndodhur por provat materiale mungojnë në këtë aktakuzë.

I pandehuri Zllatan Arsiq u vetëdeklarua i pafajshëm për akuzat që i ngarkohen.

Tutje, avokati Vasilije Arsiq, i propozoi gjykatës që të mbrojturit të tij Zllatan Arsiq t’i ndërpritet masa e paraburgimit dhe t’i caktohet një masë tjetër e sigurisë – arrest shtëpiak ose dorëzani.

Për masën e dorëzanisë, i njëjti propozoi shumën prej 30 mijë euro.

Prokurori Dema deklaroi se e kundërshtojnë këtë propozim për masën e paraburgimit, për shkak të peshës së veprës penale dhe rrezikut që i njëjti të arratiset në Republikën e Serbisë e që, sipas tij, kjo do ta bënte të pamundur edhe sigurimin e prezencës së tij për shkak të mungesës së bashkëpunimit ndërshtetror në mes të Kosovës dhe Serbisë.

Edhe gjykata e refuzoi propozimin e mbrojtjes së Arsiq për ndërpritjen dhe zëvëndësimin e masës së paraburgimit.

Zllatan Arsiq ka qenë pjesëtar i Policisë së Kosovës, tashmë i suspenduar. Ai ishte arrestuar edhe në shtator të vitit 2020 nga hetuesit e Inspektoratit Policor nën dyshimet për lejim të kontrabandës në fshatin Karaçevë të Komunës së Kamenicës.

Sipas aktakuzës, i pandehuri Zllatan Arsiq gjatë periudhës së luftës në Kosovë, në bashkëkryerje me pjesëtarë tjerë të policisë serbe, i uniformuar me uniformë të policisë serbe dhe i armatosur, e kishte ndaluar në qendër të qytetit të Kamenicës të dëmtuarin Besnik Muhaxheri, duke e torturuar në mënyrë ç‘njerëzore, maltretuar dhe duke i shkaktuar lëndime të rënda trupore, traumë dhe pasoja në shëndet duke e kanosur seriozisht për jetë për një orë e gjysmë.

Sipas aktakuzës, i pandehuri Zllatan Arsiq, gjithashtu, në bashkëkryerje me pjesëtarë tjerë të policisë serbe dhe grupeve paramilitare, ka marrë pjesë në dëbimin dhe shpërnguljen me dhunë të qytetarëve të Kamenicës me rrethinë, pastaj kanë filluar të bëjnë plaçkitjen e shtëpive, e më pas me qëllim të dëmtimit  të pronës së shqiptarëve i’a kanë vënë zjarrin, po ashtu kanë marrë pjesë në  keqtrajtimin e civilëve shqiptarë.