Ish-ministri Nenad Rikalo emërohet zëvendësshef i Zyrës për Kosovë në Qeverinë e Serbisë

Ish-ministri në Qeverinë e Kosovës dhe anëtari aktual i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve të Kosovës, Nenad Rikalo, është emëruar si ndihmës i përkohshëm i shefit të Zyrës së Kosovës sipas një vendimi të Qeverisë së Republikës së Serbisë, shkruan Kossev.

Qeveria serbe mori vendimin për emërimin e Rikalos në sesionin e saj të 4-të mbajtur në 12 nëntor.

Rikalo do të kryejë këtë funksion në sektorin për mbështetjen e ekonomisë, bujqësisë dhe zhvillimit rural, duke zëvendësuar kështu Zoran Bojoviqin, i cili u lirua nga detyra në të njëjtën seancë.

Rikalo ka kryer detyrën e sekretarit të shtetit në Ministrinë e Bujqësisë të Serbisë që nga marsi i vitit të kaluar.

Më pak se një muaj para se të merrte detyrën e tij në Ministrinë serbe të Bujqësisë, Rikalo mbajti postin e ministrit të Bujqësisë të Kosovës.

Ish-ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Nenad Rikalo dhe sekretari i kësaj ministrie Kapllan Halimi  dhe 6 zyrtarë të tjerë ishin akuzuar për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Aktakuza është ngritur 7 muaj pasi KALLXO.com  ka publikuar një hulumtim rreth një plani të Ministrisë që drejtohej nga Rikalo për një projekt për komunat veriore të Kosovës.

KALLXO.com kishte raportuar për Ministrinë e Bujqësisë, ku në vitin 2018 i kishte ndarë 2 milionë euro për të përkrahur zhvillimin e bujqësisë në Mitrovicën e Veriut.

Po ashtu, Rikalo më 26 mars të vitit 2018 dyshohet që në mënyrë të kundërligjshme ka lëshuar vendimin për hartimin e politikave të reja për zhvillim të mëtutjeshëm të infrastrukturës rurale dhe ngritjes së konkurrencës në zonat rurale më pak të zhvilluara.