Gjykimi ndaj ish ministrit Nenad Rikalo - 22 mars 2021 - Foto KALLXO.com - Era Hasani

Dështon seanca gjyqësore për korrupsion ndaj ish-ministrit Rikalo

Seanca gjyqësore ndaj ish-ministrit të Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Nenad Rikalo dhe të tjerëve, të akuzuar për korrupsion ka dështuar të mbahet.

Ish-ministri  i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural i Nenad Rikalo që akuzohet për korrupsion mungon në gjykim, mbrojtësi i tij avokati Mirodrag Brkljaq njoftoi që i mbrojturi i tij nuk mund të marrë pjesë për shkaqe shëndetësore.

Duke i marrë parasysh këto rrethana, kryetari i trupit gjykues Mentor Bajraktari, mori vendim për shtyrjen e seancës me datë 27 prill.

KALLXO.com kishte raportuar për Ministrinë e Bujqësisë, ku në vitin 2018 i kishte ndarë 2 milionë euro për të përkrahur zhvillimin e bujqësisë në Mitrovicën e Veriut.

Favorizimi i kësaj komune ishte në kundërshtim me Planin Kombëtar për Bujqësi, i cili mbulon gjithë Kosovën dhe nuk parasheh favorizime të komunave apo rajoneve të caktuara.

Pas hartimit të këtij programi, Ministria në fjalë e kishte shpallur thirrjen për aplikim për këtë program prej 2 milionë eurove, për “ngritja e aftësisë konkurruese në sektorin e bujqësisë, pylltarisë përmes përfshirjes së komunitetit në zhvillimin rural në regjionin e Mitrovicës së Veriut”.

Derisa në dokumentin e nënshkruar nga ministri thuhet se këto 2 milionë euro do të ndahen në rajonin e Mitrovicës, në thirrjen e publikuar ka qenë më specifike. Në thirrje thuhet se këto mjete do të ndahen për Mitrovicën e Veriut.

Sipas aktakuzës, Nenad Rikalo, në cilësinë e Ministrit në Ministrinë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural (MBPZHR) ka tejkaluar kompetencat e tij, duke hartuar një “program të veçantë”,  pa buxhet të veçantë të ndarë për këtë projekt, ka vendosur mbi kriteret, ka përcaktuar regjionet për financim, shumën e grantit, duke i anashkaluar edhe procedurat e rregullta të hartimit të programit të veçantë, që ishte kompetencë e Departamentit të Politikave të Zhvillimit Rural në MBPZHR, duke mbivendosur në mes të masave me programin e rregullt.

Po ashtu, Rikalo më 26.03.2018 dyshohet që në mënyrë të kundërligjshme ka lëshuar vendimin për hartimin e politikave të reja për zhvillim të mëtutjeshëm të infrastrukturës rurale dhe ngritjes së konkurrencës në zonat rurale më pak të zhvilluara, thuhet në aktakuzën e Prokurorisë së Shtetit.

I akuzuari tjetër, Kapllan Halimi, në cilësinë e Sekretarit të Përgjithshëm në Ministrinë e Bujqësisë, sipas Prokurorisë “ka tejkaluar kompetencat e tij, duke nxjerrë në mënyrë të kundërligjshme vendimin për t’iu mundësuar përfitim të paligjshëm disa kompanive të ndryshme, duke formuar një grup prej 11 anëtarëve për përgatitjen e investimeve në infrastrukturë rurale, duke qenë se në dijeni se grupi në fjalë nuk ka qenë kompetent për këtë punë”, thuhet në aktakuzën e Prokurorisë së Shtetit.

 

Ndarja e milionave për Mitrovicën veriore, ish-ministri Rikallo para gjyqit