Presidenti Donald Trump pret liderët europianë dhe presidentin ukrainas, Volodymyr Zelenskyy, më 18 gusht 2025 në Shtëpinë e Bardhë. Foto: The White House

Ish-gjenerali amerikan për Europën: Uashingtoni e sheh Europën si të parëndësishme

Ish-komandanti i Ushtrisë amerikane për Europën, gjenerali Ben Hodges, në një intervistë për emisionin e mëngjesit të Euronewsit, “Europe Today”, ka paralajmëruar se kontinenti “po zgjohet ngadalë dhe po e kupton” se nuk mund të mbështetet te SHBA-ja si një partnere e drejtë, ka raportuar të hënën (01.12.2025) Euronews.

“Shtetet e Bashkuara e shohin Europën si të parëndësishme, pos ndoshta për disa qëllime biznesi”, ka thënën Hodges.

Sipas tij, qasja e administratës amerikane ndaj konfliktit ishte e mbrapshtë “që nga fillimi” për shkak se e trajtoi luftën si “ujdi e madhe pasurish të paluajtshme”.

Hodges ka spikatur raportimet e fundit që përfshinin Steve Witkoffin, të dërguarin special të presidentit amerikan, Donald Trump, për Lindjen e Mesme, dhe Jared Kushnerin, dhëndrin e Trumpit, si provë se interesi kryesor i Uashingtonit është “biznesi me Rusinë pasi të përfundojë e gjithë kjo”.

“Nëse puna shkon qysh z. Witkoff dhe Jared Kushner donin të shkonte me rusët, (ky) do të jetë një problem i madh për Europën”, ka thënë ai, duke paralajmëruar për miliona refugjatë të tjerë nëse Ukraina detyrohet të pajtohet me një marrëveshje të pakënaqshme.

Ky ndryshim i prioriteteve u bë i dukshëm këtë javë, ndërsa Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, pritet t’i bishtnojë takimit kyç të NATO-s në Bruksel.

“Është e pazakontë, por kjo është pjesë e problemit”, vuri në dukje Hodges, duke shtuar se sipas listës së prioriteteve të administratës aktuale, “Europa është numri katër” pas hemisferës perëndimore, Indo-Paqësorit dhe Lindjes së Mesme.

Pavarësisht perspektivës së zymtë, gjenerali ka këmbëngulur se situata nuk është e pashpresë. Ai ka hedhur poshtë premisën se Ukraina po humb, duke spikatur se pas 11 vitesh lufte, Rusia pushton vetëm 20 % të vendit dhe pjesë të ekonomisë së saj janë “në telashe të mëdha”.

Sipas Hodgesit, “Ukraina dhe Europa së bashku” kanë industrinë, pasurinë dhe popullsinë për të frenuar Rusinë.

“Nuk ka asnjë arsye që Europa, përfshirë Ukrainën, të mos mund ta ndalin Rusinë”, ka thënë ai. “Çfarë atyre u mungon është vetëbesimi dhe vullneti politik”. 

Përgatiti: Rexhep Maloku – Kallxo.com