Arkiv

Isa Mustafa i uron Vjosa Osmanit suksese në zgjedhje

Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa i ka uruar suksese ish-nënkryetares së partisë së tij, Vjosa Osmani e cila ka paralajmëruar se do të garojë me një inicativë të sajën politike në zgjedhjet parlamentare.

Mustafa tha se në fund rezultatet do të tregojnë se për kë janë qytetarët e Kosovës.

“Tani unë nuk mund të jap vlerësime. Unë dëshiroj t’i uroj suksese zonjës Osmani, meqenëse hyn në një garë vet dhe rezultatet ne fund do të tregojnë se për kë janë qytetarët e Republikës së Kosovës”, theksoi ai, kur u pyet nëse pret që do t’i dëmtojë me vota iniciativa e Osmanit.

Vjosa Osmani ishte përjashtuar nga strukturat drejtuese të LDK-së, me kërkesë të kryetarit Isa Mustafa dhe votimit në Këshillin e Përgjithshëm të kësaj partie.

Osmani kishte kundërshtuar rrëzimin e Qeverisë së Albin Kurtit dhe prishjen e koalicionit LVV-LDK.

Në fillimin e vitit të ardhshëm pritet të mbahen zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare, pasi Gjykata Kushtetuese e shpalli të pavlefshme zgjedhjen e Qeverisë Hoti.