Isa Mustafa i del në mbrojtje Behgjet Pacollit, akuzon Ministrinë e Shëndetësisë

Në diskutimet e fundit rreth kthimit dhe mundësisë së karantinimit të deputetit të AKR-së Behgjet Pacolli në Kosovë, është përfshirë edhe kryetari i LDK-së, Isa Mustafa.

Ky i fundit ka deklaruar se Ministria e Shëndetësisë po merret me politikë në emër të Covid-19.

Mustafa ka theksuar se paralajmërimi i ministrisë në detyrë se nëse Pacolli vjen nga Zvicra do të vendoset në karantinë, është vendim politik.

“Paralajmerimi i kësaj ministrie, se nëse vjen Behgjet Pacolli nga Zvicra do të vendoset në karantinë, është vendim politik. I izolimit të një deputeti. Të përfaqësuesit të popullit! Ministria s’mund të marrë vendime të tilla pa e parë dokumentacionin e z. Pacolli për gjendjen e tij shëndetësore, të cilin vlerësim nuk e bëjnë zyrtarët e ministrisë por ekipet e mjekëve”, ka shkruar Mustafa në Facebook.

Kreu i LDK-së, ka shtuar se nuk ka nevojë të maltretohet një deputet dhe një biznesmen i njohur.

“Ministria e ka vështirë të dëshmojë se nuk ka lejuar raste e raste të shkojnë në shtëpitë e tyre, pas dëshmive që kanë prezantuar për gjendjen e tyre shëndetësore Sjellja e tillë e kësaj qeverie është argumenti më i mirë që ajo e arsyetoi rrëzimin e saj”, thuhet në publikimin e tij.

Mustafa, partia e të cilit pritet të formojë qeverinë e re të vendit, në fund të shkrimit drejtuar qeverisë në detyrë, ka shtuar se i kanë votat.

“Mos e maltretoni z. Pacolli, mos u thirrni në parimet që nuk i keni zbatuar ju që e keni shkelur Kushtetutën, sepse votat i kemi”, është shprehur ai.

Ndërkaq, i propozuari për kryeministër të ardhshëm, Avdullah Hoti sot ka deklaruar se pjesë e qeverisë do të jetë edhe AKR-ja.

Behgjet Pacolli aterron në Tiranë