Isa Mustafa flet para takimit me Albin Kurtin

Kreu i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, ka thënë se oferta e partisë së tij për të lidhur marrëveshje me Lëvizjen Vetëvendosje ofron balancim të pushteteve dhe partneritet të fortë ndërmjet subjekteve.

Këto komente Mustafa i bëri para se të fillojë takimi me liderin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti.

Ai po ashtu tha se nuk e di nëse sot të ketë takim me ambasadorët e Quint-it pasi që, sipas tij, LDK nuk i ka ftuar ata.

“Sa na përket neve, ne i kemi dhënë qartë qëndrimet dje. Vlerësojmë që zgjidhja që ne kemi ofruar është zgjidhje e cila funksionon, e cila dy palëve iu ofron partneritet të fortë dhe një balancim të pushteteve”, tha sot Isa Mustafa para gazetarëve.

“Nuk e di, sepse ne nuk i kemi ftuar (ambasadorët). I ka ftuar z. Kurti, ne do të shkojmë në takim”, tha ai shkurt.

Sot në ora 17:00 në Kuvendin e Kosovës pritet të takohen në përpjekjen e radhës LVV dhe LDK.

Nuk dihet nëse në takim do të marrin pjesë edhe ambasadorët e shteteve të Quint-it dhe shefja e Zyrës së BE-së në Kosovë.

Ndërkohë, gjatë ditës, në një deklaratë të përbashkët, Ambasadat e Francës, Gjermanisë, Italisë, Mbretërisë së Bashkuar dhe Shteteve të Bashkuara, kanë thënë se nuk përzihen në çështjet e brendshme të shtetit të Kosovës.

Sot takimi i radhës LV – LDK, bashkë me ambasadorët e Quint-it dhe BE-në

www.kallxo.com