Albin Kurti - Isa Mustafa

Sot takimi i radhës LV - LDK, bashkë me ambasadorët e Quint-it dhe BE-në

Takim i djeshëm LVV-LDK për arritjen e marrëveshjes për koalicionin qeverisës ka përfunduar pa rezultat.

Lëvizja Vetëvendosje përmes një reagimi ka thënë se sot pritet të jetë një takim i radhës, mirëpo ky do të jetë në prezencën e ambasadorëve të Quintit.

Palët janë pajtuar që të zhvillohet një takim bashkë edhe me ambasadorët e Quint-it në Prishtinë si dhe me Shefen e Misionit të BE-së.

“Nuk u arrit marrëveshja. Palët u pajtuan që nesër të zhvillohet një takim tjetër bashkë edhe me ambasadorët e Quint-it në Prishtinë si dhe me Shefen e Misionit të BE-së”, njftoi dje LV-ja.

Tutje në këtë reagim, LVV ka deklaruar se ‘kanë mbetur edhe tetë ditë deri në skadimin e afatit kushtetues për koalicionin qeverisës ’.

Takimi i djeshëm i drejtuesve të dy partive politike, të cilat kanë dalë të parat në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 6 tetorit, ishte në vazhdën e përpjekjeve për arritjen e një marrëveshjeje për bashkëqeverisje.

Eksponentë të dy partive kanë deklaruar se janë shumë afër arritjes së marrëveshjes.

Ndërkohë, për Albin Kurtin, si mandatar për formimin e Qeverisë së Kosovës, ora ka filluar të ecë së prapthi.