Zhavori në rrugë në Leposaviq, 26 maj 2023

IPK: Do të bëhet vlerësimi i veprimeve policore në veri

Inspektorati Policor i Kosovës ka njoftuar se ka themeluar Ekipin e përbashkët për vlerësimin e veprimeve policore gjatë asistimit tre kryetarëve të komunave në Veri të vendit për të ushtruar të drejtën e tyre në punë.

“Bazuar në mandatin ligjor sipas detyrës zyrtare dhe në koordinim me Ministrin e Punëve të Brendshme, IPK ka krijuar një Ekip të përbashkët (inspektor/hetues) për të vlerësuar veprimet policore gjatë operacionit policor të ditës së djeshme në tre komunat veriore të vendit (Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok)” – thuhet në njoftimin e IPK-së.

Sipas IPK-së, qëllimi i këtij ekipi është që të sigurohet se Policia e Kosovës ka kryer detyrat konforom standardeve dhe autorizimeve ligjore.

“Qëllimi i punës së këtij Ekipi është që të sigurojmë që Policia e Kosovës ka kryer detyrat konform standardeve dhe autorizimeve kushtetuese e ligjore, drejt krijimit të një mjedisi të sigurt për qytetarët pa dallim. Po ashtu, Ekipi synon të identifikojë nëse gjatë këtij operacioni ka pasur tejkalim të autorizimeve policore” – thuhet tutje në njoftimin e IPK-së.

Inspektorati Policor po ashtu ka bërë të ditur se do të mbajë të informuar opinionin publik me rezultatet e punës së këtij Ekipi.

LIVE – Zhvillimet në veri