Internews Kosova hap thirrjen për kurs të gjuhës serbe për gazetarët shqiptarë

Internews Kosova (I/KS) shpall thirrjen për një kurs të ri për shqip – serbisht, si pjesë e projektit “Nxitja e shkëmbimit ndërkulturor mediatik”, të financuar nga Bashkimi Evropian.

Përmes këtij aktiviteti, I/KS synon t’i rrisë kapacitetet e gazetarëve profesionistë dhe të promovojë diversitetin kulturor, duke angazhuar dhjetë (10) gazetarë shqiptarë ose studentë shqiptarë të gazetarisë në kurset e gjuhës serbe për një periudhë prej gjashtë muajsh. Kjo jo vetëm që do të ndihmojë profesionistët e medias që të jenë më të gatshëm të raportojnë për tema në veri të Kosovës dhe zonat e tjera të banuara me serbë në Kosovë, por gjithashtu do të bëjë të mundur që gazetarë të etnive të ndryshme të mësojnë gjuhën e njëri-tjetrit, duke përmirësuar shkëmbimin kulturor midis dy grupeve dhe duke i hapur rrugë bashkëpunimit më të mirë në raportim.

Ky aktivitet do të zbatohet në bashkëpunim me partnerët tonë të projektit BIRN Serbia, Kossev dhe Asociacionin e Pavarur të Gazetarëve të Vojvodinës të cilët gjithashtu do t’u sigurojnë dhjetë (10) gazetarëve serbë mundësinë për të mësuar shqip, në mënyrë që të kenë qasje në burimet në gjuhën shqipe.

Një objektiv i rëndësishëm i këtij veprimi është promovimi i të drejtave të njeriut dhe ekipeve ndëretnike hulumtuese, dhe partnerët e projektit do të synojnë të promovojnë bashkëpunimin ndëretnik dhe diversitetin kulturor përmes këtij aktiviteti.

Kriteret e kërkuara:

  • Duhet të jeni gazetar/e ose student/e në vitin e fundit të studimeve në fushën e gazetarisë. Studentët do të pranohen vetëm nëse ka vende të lira në kurs; dhe
  • Duhet të jeni në gjendje të merrni pjesë në të gjitha orët. Orari i orëve dhe testimit do të përcaktohet në dakordim me studentët dhe mësimdhënësin/en.

Shënim: Kursi do të mbahet online.

Afati për aplikim: 31 gusht 2023

Për të aplikuar, ju lutemi plotësoni anketën në këtë link: https://docs.google.com/forms/d/1tytKQBrkILkCpsmvmiux5fJz5ADFoIkD5N0MzyV7Iek/prefill

I/KS inkurajon aplikantët e të gjitha gjinive dhe ofron mundësi të barabarta për të gjithë personat e interesuar, pa paragjykime në baza të gjinisë, statusit social, orientimit seksual, identitetit gjinor, fesë ose prejardhjes politike. Po ashtu, I/KS inkurajon aplikantët të cilët nuk kanë njohuri të mira të gjuhës serbe.