Liqeni i Badovcit

IKSHPK: Ka rënie të vlerës së manganit në Liqenin e Badovcit, por nuk arrin standardin

Vlera e manganit në Liqenin e Badovcit ka rënë, por ende nuk ka arritur standardin e paraparë me Udhëzimin Administrativ për cilësinë e ujit për konsum nga njeriu, sipas Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK).

IKSHPK thotë se nuk ka vend për panik, por shton se uji nuk mund të përdoret për pije apo përgatitje të ushqimit, pasi që vlimi i ujit nuk e zvogëlon sasinë e manganit.

“Ekipet e IKSHPK-së janë në terren 24/7 dhe po bëhen çdo ditë analiza fiziko-kimike të ujit të prodhuar në fabrikën që furnizohet nga Liqeni akumulues i Badovcit dhe qytetarët do të njoftohen me kohë për normalizimin e parametrave referent të ujit të pijshëm” – thuhet në njoftimin e Institutit.

Sipas Institutit, ky ujë mund të përdoret për pastrim, mirëmbajtje të higjienës e ambienteve të banimit.

Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Prishtina” ka treguar se vlera e manganit është rritur për shkak të temperaturave të larta gjatë ditës dhe të ftohta gjatë natës si dhe për shkak të pranisë më të madhe të metaleve, pasi që Miniera e Kishnicës gjendet afër Liqenit të Badovcit.

Mangani është element kimik. Mungesa e manganit apo ekspozimi i tepërt ndaj tij shkakton efekte negative shëndetësore te njerëzit, sipas një raporti të Organizatës Botërore të Shëndetësisë.

Zonat të cilat mbesin nën përcjellje të vazhdueshme për cilësinë e ujit për pije nga Fabrika e ujit në Badovc janë:

Qyteza e Graçanicës, fshatrat e Graçanicës që furnizohen nga ITUP Badovc, përveç fshatrave që furnizohen nga NJOU Lipjan, Hajvalia komplet, lagjet Veterniku, Lagjet 038 dhe të gjitha të tjerat që gravitojnë në brezin Graçanicë – Prishtinë, pastaj Lagjet Qëndresa, Qëndresa Home, Sëiss Village, fsh. Preoc, Çagllavicë, Rruga Behar Begolli, Richard Holbrooke, Qendra Albi Mall, Rruga Shkupi, Holger Petersen, Malush Kosova, objektet individuale nga rruga Malush Kosova, deri te “kisha në Matiçan”, zonat në drejtim të zonës industriale drejtimi për Lipjan, Lagja Qershia, Lagja NIC, zona afër Xhamisë në Veternik, Matiçan drejtimi nga Pallati i Drejtësisë, fshati ndërkombëtar, Mati- rruga Muharrem Fejza me të gjitha rrugicat drejtimi deri te QKUK, rruga Enver Maloku, objektet në lagjen Kodrina, objektet Tregtia, Iliria Building, objektet e Standardit (Sociale) dhe objektet e kyçura direkt në linjat magjistrale Badovc Prishtinë, rruga Ferat Dragaj, Hajrullah Abdullahu, Hilmi Rakovica, Vllezërit Gërvalla, Afrim Zhitija, Armend Daci, Dervish Rozhaja, Thimi Mitko, pjesa e zonës “te Xhambazët”, rruga Sali Nivica, Norbert Jokl, Thimi Mitko, objektet banesore në Bregun e Diellit zonat Qendër dhe zonat e tjera afër Qendrës Tregtare në brezin rrugor Xheladin Rekaliu deri te kryqëzimi i rrugës te konviktet, zonat afër shkollës Ismail Qemali, rrugët Mehmet Gradica, Hyzri Talla, Qamil Bala.