I tërhiqet vërejtja kryetarit të Novobërdës që mungonte në Gjykatë

Kryetari i Komunës së Novobërdës, Svetisllav Ivanoviq është paraqitur sot në Gjykatën e Gjilanit pasi kishte munguar rreth katër herë në seancën kundër tij.

Ivanoviq po mbrohet në heshtje ndaj akuzës se i dha jashtëligjshëm në shfrytëzim tërë territorin e komunës, shoqatës së gjuetarëve “Kalaja”. Sipas prokurorisë, Ivanoviq gjithashtu i kishte dhënë kësaj shoqate në shfrytëzim një zyrë të komunës,

Në fillim të seances kryetari i trupit gjykues Naser Maliqi, i kujtoi të akuzuarit se gjykata mund të përdor mjete tjera për ta sjellur në gjykatë kur mungon pa arsye.

“Herën e fundit nuk ke qenë në seancë dhe mungesën nuk e ke arsyetuar. Gjykata i ka mjetet me të cilat e siguron prezencën tënde në seancë, kështu që duhet të jesh më i sinqertë në raport me gjykatën”, tha gjykatësi.

Në seancën e sotme u dëgjua eksperti financiar Ibrahim Tahiri dhe dëshmitarët Vaxhid Idrizi, anëtar i komisionit disiplinor në shoqatën “Kajala”, dhe Zijadin Sylejmani, kryetar i së njëjtës shoqatë.

Dëshmitari Vaxhid Idrizi tregoi marrëveshjen që shoqata e ka me komunën e Novobërdës.

“Mbetem pran deklarates të cilën e kam dhënë në Prokurori. Unë jam kryetar i komisionit disiplinor dhe antar i shoqates “Kalaja”, me seli në Novobërdë. Shoqata jonë e ka shfrytëzuar territorin per gjyeti të Komunes së Novobërdes, ajo (shoqata),  u formua shumë heret dhe që nga themelimi i saj e ka shfrytezuar këtë territor. Vendimin për shfrytëzim të këtij territori e posedojmë dhe i njejti është me afat 10 vjeqar. Komunes së Novobërdes shoqata jonë i paguan taksa si gjitha shoqatat tjera”, tha ai.

Tutje Idrizi tha se “Kryetari i Komunes nuk e ka bërë asnjë shkelje dhe unë e falënderoj për mundësinë që na ka dhënë…”.

Dëshmitari Zijadin Sylejman, kryetar i shoqatës “Kalaja”i gjithashtu foli lidhur me territorin që e shfrytëzon shoqata.

“Jam anëtar i shoqatës së gjuetisë “Kalaja”, që nga viti 2004, kurse kryetar i saj jam nga vitit 2019. Terrenin të cilin e kemi shfrytëzuar e kemi të caktuar me hartë dhe ai është territori i Novobërdes, i njejti territor është shfrytëzuar nga “Kalaja” edhe para luftes. Leja për gjueti merret nga Ministria e Bujqesis në Prishtinë nëpërmes Federates së Gjuetarve të Kosovës”.

Eksperti financiar Ibrahim Tahiri, duke u deklaruar rreth ekspertizez të cilen e kishte përpiluar tha se kryetari i komunës kishte bërë shkelje ligjore.

“Dokumentacioni për ekspertiz në të cilin jam bazuar ka qenë aktvendimi i Prokurorisë së Gjilanit. Svetisllav Ivanoviq i ka dhënë në shfrytëzim territorin e Komunes së Novobërrdes, vetëm një shoqate, gjithashtu Ivanoviq shoqatës së njejtë i ka dhënë në kundërshtim me ligjin një zyre në objektin e Komunes. Në rastin konkret kemi të bëjmë me shkelje të procedurave të tenderimit pasi që asnjë subjekt tjetër nuk ka mundur të konkurrojë. Konsideroj se dëmi total që i është  shkaktuar Komunës së Novobërdës është 12,220.00 euro”, përfundoi ai.

Svetisllav Ivanoviq akuzohet se në muajin nëntor të vitit 2017 në cilësinë e Kryetarit të Komunës së Novobërdës, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm për Shoqatën e Gjuetarëve “Kalaja”, në Novobërdë dhe shkaktimit të dëmit Komunës së Novobërdës, i ka tejkaluar kompetencat e tij zyrtare.

Sipas prokurorisë, Ivanoviq i ka shkelur te drejtat e personit juridik “Ujku”, në atë mënyrë që ne kundërshtim me ligjin dhe udhëzimet administrative ka nxjerr njoftimin ku për vitet 2017/2018 shoqatës së gjuetarëve “Kalaja”, i ka dhënë në shfrytëzim tërë territorin e Komunës së Novobërdës duke i mundësuar përfitim material prej 11 mijë 260 euro.

Gjithnjë sipas aktakuzës, në kundërshtim me ligjin, Ivanoviq i ka dhënë shoqatës së njëjtë në shfrytëzim një zyrë në objektin e Komunës së Novobërdës duke i shkaktuar dëm ne vlerë prej 960 euro.

Kryetari i Novobërdës sërish nuk i përgjigjet Gjykatës