I dërguari i OKB-së në Sudan: Më shumë se 180 njerëz të vrarë në luftimet e atjeshme

Të paktën 185 njerëz janë vrarë dhe 1800 të tjerë janë plagosur në tri ditë luftimesh midis fraksioneve rivale në Sudan, sipas përfaqësuesit special të Kombeve të Bashkuara për Sudanin, ndërkohë që Grupi G7 i bashkohet thirrjeve për përfundimin e menjëhershëm të armiqësive.

Të dy palët po përdorin tanke, artileri dhe armë të tjera të rënda në zona me popullsi të dendur.  

Shpërthimi i papritur i dhunës gjatë fundjavës midis dy gjeneralëve më të lartë të vendit, secili i mbështetur nga dhjetëra mijëra luftëtarë të armatosur rëndë, bllokoi miliona njerëz në shtëpitë e tyre ose kudo ku mund të gjenin strehim, me furnizime të mbaruara në shumë zona.

Lufta për pushtet vendos gjeneralin Abdel Fattah al-Burhan, komandantin e forcave të armatosura, kundër gjeneralit Mohamed Hamdan Dagalo, kreut të Forcave të Mbështetjes së Shpejtë (RSF), një grup paraushtarak. Ish-aleatët orkestruan së bashku një grusht shteti ushtarak të tetorit 2021.

Dhuna e ka ngritur spektrin e luftës civile ndërkohë që sudanezët po përpiqeshin t’a ringjallnin përpjekjen për një qeveri demokratike civile pas dekadash sundimi ushtarak.

Kombet e Bashkuara, Shtetet e Bashkuara dhe vendet dhe organizatata e tjera kanë bërë thirrje për armëpushim. Egjipti, i cili e mbështet ushtrinë e Sudanit, dhe Arabia Saudite dhe Emiratet e Bashkuara Arabe – të cilat krijuan lidhje të ngushta me RSF-në ndërkohë që dërguan mijëra luftëtarë për ta mbështetur luftën në Jemen – kanë bërë gjithashtu thirrje që të dyja palët të tërhiqen nga përplasja e armatosur.

Të hënën, Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së Antonio Guterres u bëri thirrje përsëri palëve ndërluftuese që t’i “ndërpresin menjëherë armiqësitë” duke paralajmëruar se përshkallëzimi i mëtejshëm “mund të jetë shkatërrues për vendin dhe rajonin”.

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, i cili po merr pjesë në një takim të Grupit G7 në Japoni, foli me telefon me dy akterët kryesorë Burhan dhe Dagalo veçmas dhe nënvizoi urgjencën e arritjes së një armëpushimi, sipas zëvendës-zëdhënësit kryesor të Departamentit të Shtetit, Vedant Patel.

Në një deklaratë të përbashkët të martën, ministrat e jashtëm të G7 i dënuan luftimet.

“Ne u bëjmë thirrje palëve që menjëherë t’i japin fund armiqësive pa parakushte,” thuhet në njoftimin nga Grupi G7 duke u bërë thirrje atyre që të kthehen në tavolinën e bisedimeve dhe t’i ulin tensionet./Al Jazeera

Përgatiti: Nuhi Shala