SHBA: Serbia nuk ka bërë asnjë progres për të mbajtur përgjegjës autorët e sulmit në Banjskë

Përfaqësuesi i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, Robert Wood, ka deklaruar se kanë kaluar shtatë muaj që nga sulmi terrorist në Banjskë dhe Serbia nuk ka bërë ndonjë përparim për të mbajtur përgjegjës ata që u përfshinë, duke përfshirë edhe liderin e vetëshpallur të sulmit, Millan Radoiçiq.

Wood tha se Serbia duhet të punojë me misionin e NATO-s në Kosovë, KFOR, që të parandalojë ndonjë sulm tjetër si ai i 24 shtatorit 2023.

“Janë bërë shtatë muaj që nga sulmi paramilitar serb ndaj Policisë së Kosovës afër manastirit të Banjskës në veri të Kosovës. Serbia nuk ka bërë ndonjë përparim domethënës për të mbajtur përgjegjës ata që u përfshinë, duke përfshirë edhe liderin e vetëshpallur të sulmit, Millan Radoiçiq. Kërkojmë përgjegjësi të plotë në përputhje me sundimin e ligjit. Është kritike që Serbia të punojë me KFOR-in që të parandalojë ndonjë sulm tjetër si ai i 24 shtatorit që të ndodhë përsëri”- ka deklaruar ai.

Përfaqësuesi i SHBA-së gjithashtu ka folur edhe për bllokimin e qytetarëve të Kosovës në kufi me Serbinë më 17.04.2024. Ai tha se ky veprim ishte shkelje e marrëveshjeve të kaluara për lëvizjen e lirë.

“Jemi thellësisht të shqetësuar për pengesën e lëvizjes së lirë për qytetarët e Kosovës duke kaluar tranzit nëpër Serbi më 17 prill, bashkë me arrestimin e  qytetarëve kosovarë, përfshirë edhe serbë etnikë që shërbejnë në Policinë e Kosovës. Ky veprim ishte shkelje e marrëveshjeve të së kaluarës për lëvizjen e lirë dhe një formë frikësimi të serbëve të Kosovës që marrin pjesë në jetën shoqërore”- tha Wood.

Duke folur për rregulloren e Bankës Qendrore të Kosovës për para të gatshme, Wood tha se mbesin “të shqetësuar për veprimet e pakoordinuara të Qeverisë së Kosovës, në lidhje me Rregulloren e BQK-së”.

Wood ka përmendur edhe organizimin e votimit pro apo kundër largimit të kryetarëve të katër komunave veriore të Kosovës, për të cilat ai tha se ndjen keqardhje që nuk u shfrytëzuan plotësisht mjetet demokratike.

“Në përputhje me kërkesat ligjore, Kosova dje ka mbajtur votimin pro apo kundër largimit të kryetarëve në katër komunat veriore. Ne kemi kuptuar nga KQZ-ja që kishte një pjesëmarrje shumë të vogël. Ndjejmë keqardhje që politikanë të caktuar nuk shfrytëzuan plotësisht mjetet demokratike, nën ligjet e Kosovës, për të avancuar një demokraci përfaqësuese dhe efektive. I vlerësojmë përpjekjet e bëra nga zyrtarët e zgjedhjeve për t’u lejuar të gjithë qytetarëve kosovarë të regjistruar në katër komunat veriore të marrin pjesë në këtë proces demokratik. E dimë se nuk ka ndonjë vendim nga votuesit për të larguar kryetarët e zgjedhur dhe ata do mbesin në vendet e tyre nën kornizën ligjore të Kosovës”- theksoi Wood.

Më 21.04.2024, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka njoftuar që gjatë votimeve për ose kundër largimit të kryetarëve nga funksioni në katër komunat në veri – Leposaviq, Zubin Potok, dhe Mitrovicë e Veriut kanë votuar vetëm 253 qytetarë, derisa në Zveçan asnjë votë e vetme, duke e cilësuar të dështuar këtë proces.
12 është numri i qytetarëve që votuan ‘për’ largimin e Erden Atiqit nga pozita e kryetarit të Komunës së Mitrovicës së Veriut. Kështu kanë bërë të ditur rezultatet e fundit të publikuara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.

Sipas këtyre rezultateve, në Mitrovicë të Veriut, 99 qytetarë ishin kundër largimit të Erden Atiq nga posti i kryetarit dhe 12 të tjerë votuan ‘për’ largimin e tij.

Rezultatet e KQZ-së tregojnë se gjashtë qytetarë në Leposaviq u pajtuan që Lulzim Hetemi të largohet nga pozita e tij, ndërsa 129 të tjerë nuk u pajtuan.

Në komunën e Zubin Potokut ishin vetëm 18 vota. Asnjë nga votuesit nuk ishte për shkarkimin e kryetarit të Komunës, Izmir Zeqiri.

Në Zveçan rezultoi se ishte vetëm një votë, e cila ishte kundër propozimit që Ilir Peci të largohet nga funksioni i kryetarit.