Seanca ndaj të akuzuarve për vrasjen e Arsim Halilit, Foto: KALLXO.com

I akuzuari pranon fajësinë për vrasjen me thikë të 41-vjeçarit, mbrojtja kërkon dënim minimal

Atdhe Musliu, i akuzuari për vrasjen e 41-vjeçarit Arsim Hamitit, ka pranuar fajësinë për veprën penale që i vihet në barrë në seancën e sotme.

“Po”- tha i akuzuari Musliu në pyetjen e kryetarit të trupit gjykues, Ngadhnjim Arrni, kur e pyet se a ndihet fajtor për veprën penale për të cilën akuzohet.

Për këtë rast i akuzuar është edhe Labinot Bajrami, i cili për dallim nga i bashkakuzuari tjetër në seancën e shqyrtimit fillestar u deklarua i pafajshëm për vrasjen në bashkëkryerje të 41-vjeçarit.

Mbrojtësi i Musliut, Taulant Broqi, kërkoi nga Gjykata që të aprovohet pranimi i fajësisë dhe të merret si rrethanë lehtësuese në matjen e dënimit.

“Kërkojmë nga gjykata që të shqiptojë dënim sa më të butë në këtë çështje duke aplikuar nenin 71 të kodit të procedurës penale” – tha avokati Broqi para gjykatës.

“Pasi që i mbrojturi im Atdhe Musliu e pranon fajësinë me vullnet të plotë dhe pa ndikimin e askujt kërkoj nga gjykata që të aprovohet pranimi i fajësisë dhe gjykata gjatë vlerësimit të dënimit duhet t’i merr parasysh të gjitha rrethanat lehtësuese në këtë rast pranimin e fajësisë, korrektësinë para gjykatës, pendimin e thellë që ka për këtë çështje …” – u shpreh i  njëjti.

Për shkak të kësaj rrethane, prokurori i cili e përfaqëson këtë rast, Armend Hamiti, nuk u pajtua as me pranimin e fajësisë së të akuzuarit Atdhe Musliu.

“Duke pasur parasysh se Atdhe Musliu në atë vend është ftuar nga Labinot Bajrami kësaj vepre i ka kontribuar Labinoti thelbësisht. duke pasur parasysh se është në bashkëkryerje un nuk pajtohem me pranimin e fajësisë dhe i propozoj gjykatës që këtë pranim – pendim të Atdheut ta ketë parasysh në fund të këtij shqyrtimi gjyqësor” – deklaroi prokurori Hamiti.

Këtë qëndrim të prokurorit e përkrahu përfaqësuesi i familjes së viktimës, Behar Ejupi.

Gjykata vendosi që të aprovojë pranimin e fajësisë të Atdhe Musliut.

Gjithashtu gjatë seancës u vendos që të mbahet seancë e veçantë për vërtetimin e fakteve mbi dënimin.

Ani pse afati për mbajtjen e seancës së tillë është më së largu pas 7 ditësh, e njëjta u caktua të mbahet pas tri javësh, saktësisht më 27 shtator.

Kjo sipas gjyqtarit Arrni vjen si shkak i obligimeve të tij.

Seanca e shqyrtimit fillestar ishte paraparë të mbahej më 21 gusht por që për shkak të mospajisjes së mbrojtjes me shkresa të lëndës e njëjta ishte shtyrë dhe është mbajtur sot.

41-vjeçari Arsim Hamiti kishte mbetur i vdekur nga plagët e thikës në shkurtin e këtij viti në Fushë Kosovë.

Sipas aktakuzës, të akuzuarit Atdhe Musliu dhe Labinot Bajrami, për shkak të një mosmarrëveshje e kishin sulmuar me grushte, shqelma dhe sende të forta viktimën, i cili po tentonte të ikte dhe t’i shmangej sulmit.

Të akuzuarit, sipas aktakuzës, e kanë ndjekur dhe kanë vazhduar ta godasin viktimën.

Gjithnjë sipas aktakuzës, Atdhe Musliu me qëllim të privimit nga jeta e ka goditur viktimën me thikë në anën e majtë të kraharorit, me ç’rast e kishte privuar nga jeta.

Prokuroria këto veprime i ka kualifikuar si vepra penale e vrasjes në bashkëkryerje, kurse Ardhe Musliu akuzohet edhe për armëmbajtje pa leje.