Foto: KALLXO.com

Hoxha: Policët në Jarinjë kanë armatim dhe municione të mjaftueshme

Drejtori i Operacioneve në Policinë e Kosovës, Gazmend Hoxha ka treguar se policët që janë duke qëndruar tash e 12 ditë në stacionin policor në Jarinjë kanë armatim dhe municione të mjaftueshme.

Ai ka thënë se për këtë, e po ashtu edhe për ushqim e gjësende të tjera esenciale për jetesë, janë përkujdesur në kohë.

“Ne jemi kujdesur me kohë që ata të kenë ushqime të mjaftueshme, furnizime të mjaftueshme si në aspektin e furnizimeve me ushqim, ujë, nevoja higjienike edhe me armatime, municione, të gjitha ato që i duhen për të kryer detyrën atje“ – ka thënë Hoxha në emisionin “Kallxo Përnime”.

Tutje ai ka thënë se mund të garantojë që zyrtarët policor që janë në këtë stacion janë duke kryer detyrat, misionin, urdhërata që ju kanë dhënë me detyrë konkrete.

Hoxha tregoi se për raste të tilla veçse ka qenë i përgatitur një plan operativ, përmes së cilit u tha se janë paraparë me kohë situata e tilla.

“Zyrtarët tonë policor atje po vazhdojnë me e kry punën në mënyrë të qëndrueshme. Kemi vështirësi me i zëvendësu zyrtarët policorë. Mirëpo kemi një numër të mjaftueshëm të zyrtarëve policor që ata e bëjnë ndërrimin brenda për brenda stacionit policor” – ka thënë Hoxha.

Ai madje tha se zyrtarët kanë kushtet për jetesë e energji saqë ata mund të qëndrojnë me muaj të terë në këtë stacion derisa Policia e Kosovës ta kryejë misionin e saj.

Hoxha tregoi se këta policor hanë ushqim që është përgatitur me kohë e që është ushqim kalorik, pra që mund t’i jap policëve kalori të nevojshme për të kryer detyrat.

Dje nga ky stacion policor janë tërhequr nëntë pjesëtarë të Policisë për shkak të problemeve shëndetësore që kanë. Transporti i tyre është kryer nga KFOR-i.

Në po këtë stacion është duke qëndruar edhe ish zyrtari policor serb, Dejan Pantiq, i cili është arrestuar më 10 dhjetor 2022 dhe dyshohet për kryerje të veprave penale terroriste dhe kundër rendit kushtetues.

Ndaj Pantiq ekziston dyshimi se organizoi sulmet e 6 dhjetorit të 2022-ës që ndodhën ndaj zyreve të Komisionit Komunal Zgjedhor në veri të Mitrovicës.

Sulmi ndodhi gjatë kohës kur zyrtarët e KQZ-së po vendoseshin në këto zyre me qëllim të kryerje së aktiviteteve të tyre që ishin planifikuar që të mbaheshin më 18 dhjetor 2022, e që më pas u shtynë për 23 prill 2023.

Zyrtarët e KQZ-së ishin duke u shoqëruar edhe nga zyrtarët e Policisë së Kosovës në kohën kur ndodhi sulmi.

Ndaj Pantiq, me vendim të Gjykatës Themelore në Prishtinë është caktuar masa e paraburgimit prej 30-ditësh.

Arrestimi i tij bëri që nga data e lartcekur e deri më sot rrugët e veriut të Kosovës të jenë të bllokuara nga nëntë barrikada që u vendosën në komunat me shumicë serbe.

Në një video nga Rudarja, lideri i Listës Serbe, Goran Rakiq, përmes një porosie që ia ka dërguar Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti i ka numëruar edhe kushtet për largimin e barrikadave në veri.

“Lirimi i të gjithë serbëve të arrestuar, tërheqja e të gjitha njësive nga veriu i Kosovës, heqja e të gjitha listave dhe listave sekrete për vrasjen e serbëve” – deklaroi Rakiq.

Adresimi i kryetarit të Listës Serbe erdhi pas deklarimit të kryeministrit Albin Kurti për median britanike “The Guardian”, në lidhje me situatën në veri të Kosovës. Kurti ka deklaruar se largimi i barrikadave mund të shkaktojë edhe pasoja, kështu që po duan të jenë të kujdesshëm.