Ambasadori amerikan Jeffrey Hovenier

Hovenier: Përpjekjet për të penguar zgjedhjet do të dënohen ashpër nga komuniteti ndërkombëtar

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeffrey Hovenier, ka përsëritur edhe një herë qëndrimin e SHBA-së lidhur me mbajtjen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme më 23 prill në katër komunat në veri.

Sipas tij, përpjekjet për të penguar zhvillimin e këtyre zgjedhjeve, nëpërmjet frikësimit ose çdo kërcënimi apo përdorimi të dhunës, do të përballen me dënim të ashpër nga komuniteti ndërkombëtar.

“Shtetet e Bashkuara dhe partnerët tanë po e ndjekin këtë proces nga afër. Presim që Qeveria e Kosovës të jetë e ndjeshme ndaj shqetësimeve të qytetarëve të saj në veri të Kosovës gjatë gjithë këtij procesi”- thuhet tutje në njoftim.

Sipas Ambasadës amerikane, qytetarët në veri të Kosovës dhe të gjitha partitë politike kanë përgjegjësi për të respektuar procesin demokratik, duke e ditur se të gjithë kanë pasur mundësinë të regjistrohen dhe të marrin pjesë.

Ai ka thënë e qëndrimi i SHBA-së është i qartë se Kosova do të mbajë zgjedhjet për kryetarë të komunave në veri.

“Qëndrimi i SHBA-së është i qartë dhe i pandryshuar: në përputhje me kërkesat e saj ligjore, Kosova do të mbajë zgjedhje të ricaktuara për kryetarë komunash  më 23 prill në katër komunat në veri të Kosovës ku kryetarët aktualë dhanë dorëheqje më 5 nëntor 2022”- thuhet në njoftimin e Ambasadës.

Tutje thuhet se SHBA vlerëson përpjekjet e bëra nga zyrtarët zgjedhorë kosovarë për të lejuar regjistrimin e të gjithë kandidatëve.

“Të gjitha partitë politike në Kosovë patën mundësinë të zgjedhin të marrin pjesë në procesin demokratik të zgjedhjeve. Ne inkurajuam kandidatët nga të gjitha partitë politike që të marrin pjesë në këtë proces demokratik”- thuhet në njoftim.