Hoti: Suspendimi i demokracisë nga qeveria e shkarkuar nuk mund të mbulohet me nisma ligjore

Ish-zëvendëskryeministri nga radhët e LDK-së, Avdullah Hoti ka përsëritur qëndrimin e partisë së tij se Kosova ka nevojë për qeveri me kompotenca të plota kushtetuese.

Hoti mes tjerash ka kritikuar qeverinë në detyrë në krye me Albin Kurti, që u rrëzua nga një mocion mosbesimi me 25 mars, inicuar nga partneri qeverisës, LDK-ja.

“Supsendimi i demokracisë, permes suprimimit të lirive themelore të njeriut nga Qeveria e shkarkuar, duke shkelur Kushtetutën, duke bankrotuar ekonominë pa asnjë konsideratë, duke defaktorizuar Kuvendin, nuk mund të mbulohet me nisma ligjore parciale”, ka shkruar Hoti në Facebook.

Një ditë më parë, kyetarja e Kuvendit Vjosa Osmani e përkrahur nga deputetët nënshkrues, ka proceduar nismën legjislative për Projektligjin për Parandalimin dhe Luftimin e Pandemisë COVID-19 në territorin e Republikës së Kosovës.

Ndërkaq, Kryesia e Kuvendit sot pritet të shqyrtojë edhe këtë nismë, për të kërkuar mendim nmga qeveria në detyrë.

Por sipas Hotit, në cilëndo situatë, këto nisma ligjore nuk do arrijnë të hyjnë në fuqi në kohë për të qenë në shërbim të menaxhimin të pandemisë.

“Kosova ka nevojë për Qeveri me kompotenca të plota kushtetuese, Qeveri legjitime që merr përsipër të krijojë konsensusin e nevojshëm shoqëror për të mobilizuar të gjitha mundësitë, brenda dhe jashtë Kosovës, për të përballuar pasojat ekonomike e sociale të pandemisë”, ka shkruar Hoti në Facebook.

“Këtë gjë mund ta bëjë vetëm një kryeministër e një qeveri normale, jo konfrontuese, me mentalitet demokratik e në respektim të ligjit dhe Kushtetutës”, ka shtuar ai.

Avdullah Hoti ishte shkarkuar nga detyra e zëvendëskryeministrit, nga eprori i tij Albin Kurti, menjëherë pas rrëzimit të qeverisë me 25 mars.